Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, realizoi një takim pune me Ambasadorin e Konfederatës Zvicerane në vend, Sh.T.z. Kristof Zomer, ku u diskutuan mundësitë për thellimin dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Në takim u theksua rëndësia e rritjes së shkëmbimit tregtar dhe nxitjes së investimeve direkte zvicerane në Maqedoninë e Veriut.
Durmishi nënvizoi se vendi ofron kushte të favorshme për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorët e prodhimit, inovacionit dhe ekonomisë së gjelbër, duke shtuar se krijimi i vendeve të reja të punës mbetet prioritet i Qeverisë. Të dyja palët shprehën gatishmëri për forcimin e mëtejshëm të partneritetit ekonomik dhe institucional.


