Pandemia i ka goditur të gjitha sektorët e ekonomisë, e sidomos ato të bujqësisë. Bujqit janë të pakënaqur edhe nga trajtimi i qeverisë si dhe vlerësimit që iu bëhet produkteve të tyre. Nga sfera e bujqësisë më të goditurit janë duhaxhinjtë të cilët thuan se qeveria po i bën padrejtësi gjatë cilësimit të klasës së duhanit të tyre, shkruan Almakos.
“Deri më tani duhej që të blihej duhani e jo pakot të qëndrojnë në depo. Është mëkat dhe turp ajo që po i bëhet prodhuesve të duhanit. Duhani t`i klasifikohet në klasin e 3 dhe të 4”, deklaroi një bujk i revoltuar.
“Jam i zhgënjyer thellë nga qasja jo korrekte sidomos nga dy kompanitë më të mëdhaja blerëse të duhanit ‘Socotab’ dhe ‘AllianceOne’. Edhe përskaj marrëveshjes gjatë takimit të premten (11.12.2020) se linja për blerjen e duhanit do të vihet në kapacitet të plotë dhe se metoda e vlerësimit do të jetë në pajtim me rregullativën për vlerësim duket që kompanitë që blejnë duan qëllimisht krijojnë tensione me prodhuesit e duhanit. Sinqerisht, kam pritur që kompanitë si partnere të produkteve bujqësore do të dëshmojnë edhe zemërgjërësi ndaj prodhimit të kësaj kulture tradicionale e cila për duhaxhinjtë tonë nënkupton jetë”, deklaroi një bujk tjetër i revoltuar.
Përndryshe prodhuesit e duhanit të pakënaqur me trajtimin që po iu bëhet kanë paralajmëruar se nëse qeveria nuk ndërmerr masa urgjente në ndryshimin e qasjes, ata të marrin masa radikale. Janë paralajmëruar protesta masive ku pritet që protestave t`i bashkohen edhe prodhuesit e produkteve tjera bujqësore pasi që janë të pakënaqur dhe të anashkaluar tërësisht nga qeveria e Maqedonisë së Veriut./Almakos/






