Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), Muhamed Ali, ka reaguar ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, lidhur me situatën e deponisë së paligjshme në Vizbeg, ku ditët e fundit janë regjistruar disa zjarre.
Ali ka deklaruar se QMK më 20 dhe 29 qershor ka dorëzuar shkresa deri te institucionet kompetente të Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Shuto Orizarit, duke kërkuar marrjen urgjente të masave për parandalimin e zjarreve të reja në deponi.
“Menaxhimi i deponive të paligjshme është kompetencë ligjore e kryetares së Qytetit dhe jo e QMK-së. Sipas Ligjit për Menaxhimin e Krizave, QMK nuk është organ për fikjen e zjarreve, por koordinon aktivitetet me institucionet kompetente në sistemin e krizave”, ka shkruar Ali në një postim në Facebook.
Ai theksoi se QMK ka propozuar masa konkrete, si sigurimi i shërbimit të rojes apo mbikëqyrjes në deponi, mbulesa e mbeturinave të ndezshme me material inert dhe intensifikimi i inspektimeve për ndalimin e hedhjes së paligjshme të mbeturinave.