Me protesta para Kuvendit dhe Prokurorisë, Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin” edhe njëherë kundërshtoi paralajmërimin për rikualifikim të lëndës për rastin e Almir Aliut nga “vrasje me paramendim” në “aksident trafiku”.
Protesta u mbajt një ditë para se Gjykata Themelore në Kumanovë të japë fjalën përfundimtare për rastin. Familjari i Almirit, Nijazi Aliu, tha se rikualifikimi i lëndës do të ishte vrasja e dytë e Almirit.
Për Organizatorët e protestës, edhe pas ndryshimit të prokurorëve, asgjë nuk ka ndryshuar për drejtësinë në vend.
“Para katër muajve e kam bërë një ankesë këtu dhe nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje, përveçse sot që më është lajmëruar ndihmësja e Joveskit dhe më tha se nuk kemi pasur adresë për ta kthyer përgjigjen e ankesës. Aq sa isha i revoltuar i thashë: sa të mundeni mbroni terroristin se ai do t’ua vrasë fëmijët edhe ia mbylla telefonin. Nesër Almiri vritet për të dytën herë”,- u shpreh familjari i Almir Aliut, Nijazi Aliu.
“E vetmja gjë që mund ta themi se me ndryshimin e prokurorëve republikanë nuk po ndryshon edhe gjendja e drejtësisë në Maqedoni, apo thjesht iku Zvërlevski erdhi Joveski”,- theksoi organizatorja e protestës, Anita Latifi.
Një ditë para seancës gjyqësore për fjalët përfundimtare, prokurorja e rastit, Suzana Kusingerska, mblodhi gazetarët në brifing e tha se “ndjen keqardhje për nënën e vogëlushit katërvjeçar”.
Ajo nuk sqaroi se çfarë përmbajnë fjalët përfundimtare dhe a do të ketë rikualifikim të rastit, si dhe a është nënshkruar vendimi për përsëritjen e procedurës së rastit të Almir Aliu nga ish-prokurori publik, Marko Zvërlevski, apo nga prokurori publik aktual, Lubomir Joveski.
Familjarët, protestuesit dhe avokati mbrojtës kanë kërkuar monitorim ndërkombëtar të procesit gjyqësor, për çka u janë drejtuar me një shkresë ambasadave relevante në vend nga të cilat kanë kërkuar monitorimin e procesit gjyqësor që të sigurohet gjykim i drejtë për rastin e Almirit./al.mrt/