06 Janar
Këshilli Qendror i Lëvizjes Besa mblidhet sot për të vendosur mbi dorëheqjen e parevokueshme të nënkryetarit të kësaj partie, Zeqirija Ibrahimi. Dorëheqja e tij vjen në momentin kur subjekti po bën përgatitjet për organizimin e Kongresit të parë të partisë. Ibrahimi në dorëheqjen e tij mes tjerash shpjegoi se nuk synon postin e kryetarit.
Po jap dorëheqje, duke dhënë mesazhin se askush në BESË nuk është më i rëndësishëm se BESA dhe askush në BESË nuk është i pazëvendësueshëm. Me këtë rast deklaroj se, duke e respektuar këtë përgjegjësi politike, mbetem jashtë edhe nga gara për kryetar të Lëvizjes BESA në Kongresin e Parë të Lëvizjes- shkruan Zeqirija Ibrahimi.
Ndonëse dorëheqja e tij në prapavijë synon efektin “domino” që nënkupton dorëheqje të reja, deri më tani zyrtarisht asnjë anëtarë tjetër, nënkryetar, ushtrues i ndonjë funksioni tjetër partiak apo ish kandidat për kryetar Komune nuk ka reflektuar gatishmëri. Nga Lëvizja Besa nuk komentojnë dorëheqjen për dy arsye. Njëra, për shkak se zyrtarisht deri në parti dorëheqja e Ibrahimin nuk ka arritur, ndërsa arsye tjetër është fakti që siç thonë nga ky subjekt, mbrëmë partia ka pësuar sulme kibernetike ueb faqen zyrtare të partisë.
Aktualisht Lëvizja BESA është në formim e sipër të organeve të reja. Nga ana tjetër vijojnë përgatitjet për Kongresin e parë i cili mësohet që do të jetë më 24 shkurt. Deri më tani jozyrtarisht bëhet e ditur kandidatura e Bilall Kasamit, ndërsa pritet me kandidat të dal edhe grupi i cili po kërkon dorëheqjen e Kasamit nga kreu i partisë. Emrat e mundshëm të cilët mund të jenë kundër-kandidat të Kasamit nuk bëhen të ditur.
Nëse subjekti merr për bazë rezultatin e fundit elektoral, në zgjedhjet lokale të 2017 Besa në raundin e parë nuk arriti të marr asnjë Komunë, ndërsa në raundin e dytë, pas bashkëpunimit me Aleancën për Shqiptarët, kandidati i Besës fitoi në Komunën e Zhelinës. Në Tetovë kryetari i Besës humbi në raundin e dytë zgjedhorë, ndërsa në Çair, Zeqirja Ibrahimi u mund nga kundër-kandidati i tij nga radhët e BDI-së.
Adrian Kerimi

