21 March 2018 / 15:34
Partnerët e koalicionit nuk komentojnë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Bilen Saliji. Sipas tyre bëhet fjalë thjeshtë për akt moral të Salijit në të cilin subjektet nuk ndërhyjnë. Të pyetur zyrtarisht, nga BDI theksuan se do të prononcohen pas mbledhjes së kryesisë qendrore, ndërkaq nga LSDM-ja theksuan shkurt se përshëndesin veprimin e Salijit. Vetë ministri në mohon se dorëheqja e tij i paraprinë paralajmërimeve të kryeministrit Zoran Zaev për rikonstruim të Qeverisë dhe zgjerim të shumicës parlamentare. Saliji shton se nuk është përgjegjësi e tij të komentojnë nëse dikasteri i mbetet ose jo BDI-së.
Për këto vendos lideri i BDI-së bashkë me partnerët e koalicionit, kështu që pyetjen adresoni atje. Në pamundësi dhe mungesë të kompetencave të ministrit të Drejtësisë që drejtpërdrejtë të ndërhyjë në punën e Prokurorisë dhe organeve të tjera gjyqësore, unë e vlerësova si të nevojshëm aktin e tillë i cili është vetëm moral dhe personal – deklaroi Bilen Saliji, ish ministëri i Drejtësisë.
Saliji ditë më parë nga Qeveria njoftoi dorëheqjen e tij për shkak të, sic theksoi obligimit moral që e ndjenë pas rikualifikimit të veprës në rastin e Almir Aliut nga “vrasje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Megjithatë dorëheqja e tij në opinion u cilësua si jo e sinqertë për faktin se vjen para rikonstruimit të paralajmëruara tashmë disa muaj nga kryeministri Zaev. Këto zëra i mohon edhe Qeveria e cila thotë se për rikonstruimin do të prononcohet kryeministri. Nga ana tjetër, nga BDI nuk japin detaje nëse dorëheqja e Salijit vjen mu për shkak të akuzave nga opinioni dhe ekspertët për ngecje të reformave në sistemin gjyqësorë dhe si pasojë e llogaridhënies që kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka kërkuar nga çdo funksionar i kësaj partie.


