Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit, është emëruar drejtuesi i ri në krye të Gardës së Republikës. Me urdhër të Ministrit të Brendshëm, në këtë post është komanduar Simon Zereci, i cili mban gradën Drejtues i Lartë dhe deri më tani ushtronte funksionin e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Gardës.
Zereci është një emër me karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në strukturat e sigurisë. Që prej vitit 2013 ka shërbyer si Komandant i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, një prej strukturave më elitare të kësaj trupe.
Kush është Simon Zereci?
Zereci ka përfunduar arsimin ushtarak në shkollën “Skënderbej” dhe më pas ka vijuar studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në profilin “Gjithëarmësh”. Karrierën e tij ushtarake e nisi në vitin 1986 në Ministrinë e Mbrojtjes, si Komandant Toge në Repartin Ushtarak të Zadrimës, për të kaluar më pas në struktura të ndryshme të Gardës së Republikës, ku ka shërbyer pa ndërprerje që nga viti 1988.
Ai ka mbajtur një sërë pozicionesh me rëndësi, si:
- Komandant Toge dhe Zëvendëskomandant në Kompaninë Operative
- Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta
- Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik
- Oficer shoqërues dhe komandant grupi në Njësinë Speciale, etj.
Në shtator të vitit 1998, Zereci u plagos gjatë një misioni në krye të detyrës, duke dëshmuar përkushtim dhe guxim në shërbim të sigurisë kombëtare.
Gjatë karrierës së tij, ka ndjekur një sërë kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit, përfshirë:
- Trajnim për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt
- Program sigurie me instruktorë amerikanë
- Kurs në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”
Në vitin 2020, mori gradën Kolonel, e cila më vonë u konvertua në gradën Drejtues i Parë, ndërsa me kalimin në funksionin e Zëvendësdrejtorit të Gardës iu akordua grada Drejtues i Lartë.