Megjithëse është sulmuar nga mediat maqedonase dhe parti të caktuara në shtetin fqinjë për deklaratat e saj për Iliridën, Mesila Doda nuk është tërhequr nga e saja. Në fjalimin e mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë, deputetja është shprehur se Atdheu është një, pavarësisht nga kufinjtë e padrejtë të historisë, ndaj ajo nuk druhet të flasë të vërtetën për Preshëvën, Iliridën apo Çamërinë.
Nga salla e Kuvendit ajo përsëriti edhe njëherë kërkesën për pavarësinë e Iliridës, në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre nga partia e Zaevit, e cila po përpiqet të krijojë qeverinë në Maqedoni. Doda ftoi sërish Shqipërinë e Kosovën të japin mbështetjen e tyre.
“Mjaftoi një fjalim i imi që barërat e këqija të shtetit fqinjë të ngjalleshin si të marrosur. Të dy bashkë mazhorancë dhe opozitë thanë që kjo është e papranueshme. Cila pjesë e fjalimit tim ishte e paparanueshme? Ajo që thashë se quhet Iliridë? Është përdorur qysh para 22 shekujsh, është përdorur edhe në mesjejtë e ishte krahinë autonome pjesë e Dardanisë. Cila ishte pjesa që nuk kuptuan sllavët e maqedonisë? Ajo, ku kërkova që nëse një qeveri nuk dekretohej, veç nga frika e gjuhës së Nënë Terezës shqiptarët kishin gjithë të drejtën e Zotit të shpallnin referendum për mëvetësinë?
E them dhe e ripërsëris sot e gjithë ditën, në një shtet që nuk i do, nuk i vlerëson e nuk i respekton, nën një President që shpall armike gjysmën e popullsisë së vet, ata nuk kanë pse të jetojnë. Jetojmë në vitin 2017 dhe shqiptarët e Iliridës duhet të jetojnë të lirë, të gëzojnë të drejtën e gjuhës, flamurit, prosperitetit, të gëzojnë të drejtat si shtetas të barabartë e nëse këtë uzurpuesit e këtij shteti të sajuar nuk e duan, këtë nuk e pranojnë, shqiptarët duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe në këtë akt ne të gjithë bashkë s’duhet dhe s’mund t’i lëmë të vetëm, Shqipëria nuk i lë vetëm, Kosova nuk duhet t’i lërë të vetëm, diaspora duhet të rreshtohet për të lobuar për ta e për të mos i lënë të vetëm. Çfarë ka këtu për të mos u kuptuar? Cilin politikan shqiptar tremb kjo që them sot? Cilin ligj të Zotit apo të njeriut dhunon kjo kërkesë? Gjuhë, dinjitet, liri ose mëvetësi apo çdo lloj forme tjetër drejtimi politik e shtetëror që meriton të ketë një njeri i shekullit të XXI në tokën e lashtë të Iliridës”,- tha ajo.
Duke sfiduar deklaratat që vijnë nga shteti fqinjë, Doda thote se nuk ka frikë. “Nuk do pushoj së thëni që kemi nevojë të ndihemi më afër, që kemi nevojë të jetojmë të bashkuar, por në një shtet të drejtë e modern. Kjo është ëndërra ime dhe në të nuk ka luftë, ka bashkim dhe prosperitet, besim e dashuri. Në të ka vetëm një Atdhe”.