Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se do të vazhdojnë edhe më tej kontrollet inspektuese në të gjitha objektet publike në mbarë vendin. Ai tha se në 70-80 për qind të objekteve janë regjistruar parregullsi të mëdha.
“Po, do të vazhdojnë, nuk janë ndalur asnjëherë. Mund të them se janë vërejtur parregullsi të mëdha. Kur flas për parregullsi të mëdha e kam fjalën konkretisht për 70-80 për qind të objekteve. Nuk flas për përjashtime, por për një praktikë që ka funksionuar dhe nuk do të funksionojë më”, tha kryeministri gjatë vizitës së sotme në Radovish.
Mickoski tha se janë duke zhvilluar plan veprimi për një periudhë të caktuar që të shpallet moratorium dhe të hiqen të gjitha ato parregullsi për ata që duan të funksionojnë në biznesin në të cilin kanë funksionuar.
“Njëherësh më duhet të them se resurset dhe mjetet që kemi në dispozicion janë të kufizuara. Edhe me ato resurse dhe mjete kaq të kufizuara, ne do të vazhdojmë ta çojmë këtë punë deri në fund. Dhe jo vetëm këtë, por të parandalojmë të na përsëriten ngjarje të pakëndshme edhe në të ardhmen”, ka thënë kryeministri Mickoski.