Para një muaji, Sime Rizeski nga fshati Zagoran të Prilepit, me para të huazuara bleu tortë për ditëlindjen e djalit të tij dhe kërkoi ndihmë nga shteti dhe njerëzit human. Deri më sot kanë marrë vetëm dy biçikleta dhe donacione ushqimore. Por, tani ata kanë mbetur pa energji elektrike. Nga EVN ua kanë shkyçur energjinë elektrike për borxh prej rreth 16.000 denarëve. Ai është shumë i dëshpëruar nga jeta.
“U lajmëruan tre persona. Njëri na ndihmoi me produkte ushqimore, ndërsa dy të tjerët na dhuruan biçikleta për djalin tim. Asgjë tjetër. Asnjë institucion shtetëror nuk na ndihmon. Ja, tani kemi mbetur edhe pa energji elektrike. A mund të jetohet me qirinj?! A mund të lahet fëmija ose të lajmë tesha? Si? Në duar nuk mund të laj. Ushqimi që na e dhuroi është në frigorifer dhe do të prishet”, tha Sime Rizeski.
Rizeski jeton vetëm me djalin e tij, për shkak se bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë. Shtëpia e tyre nuk plotëson kushtet për jetesë. Kur bie shi, uji pikon mbi krevatet në të cilët ata flenë, ndërsa nuk kanë as para për të riparuar dritaret e thyera. Jetojnë me 7.000 denarë në muaj, para që i fitojnë nga shitja e qumështit nga tre lopët që i kanë.
“Lopët i mjel vetëm në mëngjes. Në mbrëmje nuk mundem, nuk kam energji elektrike. Këtu humb shumë”, u shpreh Sime Rizeski.
Nga Qendra për punë sociale – Prilep, para një muaji thanë se janë të njoftuar me këtë rast, por rregullat ligjore nuk lejojnë asnjëfarë ndihme për shkak se familja siguron të ardhura nga shitja e qumështit. Rizeski tani përsëri apelon deri te shteti.
“Kërkoj që të më lëshohet energjia elektrike, të lirohem nga pagesa e këtyre tetë faturave. Më pas, çdo muaj do të paguaj faturat që do të vijnë. Si do të mundem, do të paguaj. Nuk ka problem. Me rëndësi është që nuk do t′i ngelem borxh shtetit”, tha Sime Rizeski.
Nëse nuk merr ndonjë ndihmë, Sime me lot në sy thotë se do të detyrohet që të shesë biçikletat e djalit
“Tani jam i detyruar që të shes biçikletat që ishin dhuratë për djalin tim ose të shes një nga lopët që të paguaj faturat, rrugdalje tjetër nuk kam”, u shpreh Sime Rizeski.
Por, nga EVN thonë se Rizeski mund të shfrytëzojë mundësitë që i ofron kjo kompani, siç është pagesa me këste, gjë që vlen për të gjithë shfrytëzuesit që kanë probleme me pagesën e faturave të energjisë elektrike në kohë. Gjithçka që ai duhet të bëjë është të drejtohet deri te qendra më e afërt e shfrytëzuesve të shërbimeve të EVN-së. Djali i tij, Aleksandri, është nxënës i shkëlqyeshëm dhe shumë modest. Ai thotë se kushtet për të mësuar janë shumë të vështira, ndërsa kur mbeten pa energji elektrike, mëson me qiri. E pyetëm se si e imagjinon shtëpinë e tij të ëndrrave.
“Nuk kam kushte, ndonjëherë kur nuk kemi energji elektrike, i bëj detyrat e shtëpisë nën dritën e qiririt. Shtëpinë time e paramendoj me dy kat, të ketë pamje nga deti dhe në oborr të ketë pishinë”, tha Aleksandër Rizeski.
Familja Rizeski shpreson se autoritet do ta dëgjojnë apelin e tyre dhe do u ndihmojnë që të kenë kushte të denja për jetesë./Tv21
https://www.facebook.com/tv21hd/videos/1303293183134216/

