Në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, shefat e delegacionit të BE-së dhe misionit të OSBE-së në Shkup, kanë adresuar kritika për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes në vend. Gjatë debatit të organizuar nga delegacioni I BE-së me këtë rast, ata njëzëri kanë dënuar edhe një herë sulmin e javës së kaluar ndaj deputetëve dhe ndaj gazetarëve dhe kanë kërkuar që pjesëmarrësit në këtë akt dhune të sillen para drejtësisë. Euroambasadori Samuel Zhbogar, mes tjerash, deklaroi se vendi ka nevojë për reforma në lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes. Ai ka theksuar se mediat e lira, ku gazetarët informojnë në mënyrë profesionale është parakusht për demokracinë. Media të lira dhe liria e shprehjes, sipas tij, fuqizojnë qytetarët të kërkojnë përgjegjësi nga ata që ato kanë zgjedhur si përfaqësues të tyre.
“Sot shënohet dita botërore lirisë së mediave. Fatkeqësisht, kjo ndodh pas dhunës së papranueshme, sulmit në zemrën e demokracisë, në Kuvend. Aty nuk u sulmuan brutalisht vetëm anëtarët e Kuvendit. Gazetarët dhe mediat po ashtu u sulmuan, si dhe u ndaluan të ushtrojnë detyrën e tyre. Kështu që, ne presim që ata që orkestruan dhe ata që ushtruan dhunë të sillen para drejtësisë. Liria e shprehjes është e drejtë fundamentale e njerëzve, që është e pandashme me demokracinë dhe sundimit të së drejtës”, tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Ndërkohë që, shefja e Misionit të OSBE-së, Nina Soumalainen, tha se edhe këtë vit është e nevojshme që të diskutohet çështja e sigurisë së gazetarëve. Ajo tha se sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve fatkeqësisht janë bërë të zakonshme.
“Incidenti i 27 prillit në Kuvend është një kujtim i trishtë, siç e dijmë jo vetëm deputetët por gjithashtu edhe gazetarët u sulmuan. Ne Misioni i OSBE-së në Shkup po ashtu kemi shprehur shqetësimin tonë dhe kërkojmë që duhet të ketë siguri për gazetarët dhe duhet të sigurohen në të ardhmen, madje edhe kur janë duke punuar në Kuvend. Ne po ashtu kemi shprehur pritshmëritë tona që ata që kanë kryer sulmin do të sillen para drejtësisë. Çdo anëtar i medias duhet të jetë në gjendje të bëj punën e tij pa frikësim apo dhunë dhe shantazhe”, deklaroi shefja e misionit të OSBE-së, Nina Soumalainen.
Ndërkaq, drejtori i Agjencisë së Mediave, Zoran Trajçevski, tha se gazetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kanë përgjegjësi të respektojnë profesionin e tyre dhe të punojnë sipas rregullave dhe standardeve të etikës.
Dita e lirisë së shprehjes, ambasadorët: Të… by tvshenjaofficial

