Në Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të lirë në informacione me karakter publik dalin në shesh mosmarrëveshjet e zëvendësdrejtorit, Blerim Hyseni me drejtoren e institucionit, Pllamenka Bojçeva të cilën e akuzon për mos respektim të gjuhës shqipe, por edhe për çështjet tjera brenda dhe jashtë agjencisë. Akuzat shfaqen në ditën ndërkombëtare për qasje të lirë në informacionet me karakter publik.
– Advertisements –
Tani më një kohë të gjatë bashkëpunimi im me drejtoreshë nuk është në nivelin që duhet të ishte. Kjo për arsye të sjelljeve të saja të cilat nuk i përkojnë aspak me institucionin. Unë e kam të qartë se drejtoreshës mund t’i pengojë që të flas në gjuhën shqipe dhe këtë e kam dëshmuar në disa raste apo siç është video që prezantohet në konferencë ku folësja e vetme shqiptare fol në gjuhën maqedonase edhe pse ishim marr vesh për të kundërtën. I gjithë materiali për këtë ngjarje është përgatitur vetëm në maqedonisht dhe anglisht, por jo edhe në shqip”, tha Blerim Hyseni, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të lirë në informacione me karakter publik.
Hyseni në fjalimin e tij kishte përgatitur adresimin e pengesave që i has në përditshmëri si vendimmarrje e njëanshme, udhëheqje e institucionit dhe shndërrimin i tij në pronë të drejtoreshës dhe mungesa e edukimit të institucioneve relevante për rëndësinë e qasjes në informata me karakter publik. Këto kritika Hyseni kishte planifikuar t’i thotë në konferencën e organizuar nga zyra e BE-së në nderë të kësaj dite, por siç thotë ai, në momentin e fundit u largua nga lista e pjesëmarrësve të ftuar.
Unë këtë e vlerësoj si tentim për të më censuruar mua dhe ngulfatur mendimin ndryshe sepse nga të gjithë diskutuesit vlerësoj se jam me më së tepërmi eksperiencë në këtë lëmi. Megjithatë jam i bindur se nuk e kanë bërë zyrtarët ndërkombëtarë të delegacionit të BE-së, por disa të punësuar aty, në konsultim dhe të afërt me drejtoreshën”, theksoi Blerim Hyseni, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të lirë në informacione me karakter publik.
Kërkuam qëndrimin e drejtoreshës Bojçeva për akuzat e Hysenit drejtuar saj, por deri në këto momente nuk morëm përgjigje.
Adrian Kerimi