Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka ligjëruar sot në Universitetin e Evropës Juglindore mbi diplomacinë shqiptare, procesin e integrimit evropian dhe sfidat reale me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.
Në fjalën e tij, ambasadori theksoi se integrimi evropian nuk është një destinacion abstrakt apo slogan politik, por një proces që kërkon disiplinë institucionale, standarde të qeverisjes, ligje funksionale evropiane dhe institucione më të forta se individët. Sipas tij, përgjegjësia mbetet valuta më e besueshme e politikës publike, ndërsa guximi për të mbajtur kursin evropian është thelbësor edhe në kohë polarizimi.
Diskutimi u përqendrua gjithashtu te siguria rajonale si përgjegjësi konkrete dhe jo retorikë, si dhe te roli i arsimit të lartë si një nga instrumentet më serioze të bashkëpunimit dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Meidani vlerësoi debatin e hapur me studentët, duke theksuar se universitetet mbeten hapësira kyçe për mendimin kritik, dialogun dhe ndërtimin e vizionit për të ardhmen.







