Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me vrasjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme (7 maj) në një lokal në Sarandë, ku viktimë mbeti 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Mësohet se një grup prej disa të rinjsh kanë shkuar në orën në lokalin e Rexhep Ismailit, i cili ndodhet pranë karburantit të tij.
Bëhet e ditur se personat që shkuan aty, kishin konflikt me një banor të fshatit Gjashtë, për çështje pronësie.
Në momentin që grupi i personave ka shkuar në vendngjarje, personi me të cilin kishin konflikt ndodhej në një tavolinë në verandën e lokalit me 66-vjeçarin Ismaili dhe 3 persona të tjerë.
Menjëherë ka nisur një debat verbal dhe më pas fizik me sende të forta mes palëve. Autorët dyshohet se nuk kishin qëllim konfliktin me Rexhep Ismailin. Pasi janë goditur me sende të forta, Ismaili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip “Kallashnikov” duke hapur zjarr disa herë ndaj grupit të të rinjve.
Nga ana e grupit tjetër, ka pasur kundërpërgjigje me pistoletë, duke e qëlluar një herë me plumb në kokë Ismailin, i cili ka mbetur i vdekur në vend.
Sarandë/Informacion paraprak
Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.
Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.
Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.


