Deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski, ka kritikuar Qeverinë për mosndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, shkruan gazeta Lajm. Partia të cilës i takon Dimovski, ka qeverisur me vendin më shumë se 10 vite dhe nuk e ka ndërtuar këtë rrugë, por, ai tani thotë se të paktën qeverisja e kaluar kishte përgatitur studimin fizibiliti për 12 kilometrat e autostradës drejt Kosovës.
“Kjo Qeveri nuk ndërton asgjë, nga ana tjetër rruga nga Shkupi deri në pikën kufitare me Kosovën, krahasur me rrugën në Kosovë është sikur të ktheheni në shekullin e 19-të. Një nga premtimet parazgjedhore dhe pjesë e programit të kësaj qeverie ishte ndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë dhe t’ju përkujtoj se qeveria e kaluar kishte përgatitur projektin fizibiliti për autostradën Shkup-Bllacë, kurse gati prej tre vitesh qeveria aktuale nuk nuk e ka lëvizur asnjë gurë”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së në konferencën e sotme për media.
Dimovski theksoi se qeveria e LSDM-së përveç premtive boshe, asgjë tjetër nuk ka bërë për qytetarët. Ai me tej tha se qeveria aktuale nuk është në gjendje të lëshoj në përdorim as autostradën nga Shtipi për në Shkup që është ndërtuar në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe se nuk mund të flitet për ndërtimin e autostradës së re nga Shkupi për në Bllacë. Dimosvski nënvizoi se qeveria e LSDM-së ka shpenzuar mbi 9 miliard euro për punë të ndryshme ndërsa akoma nuk mund ta ndërtojë 12 kilometra të autostradës Shkup-Bllacë.
“Gjatë tre viteve keni mundur të gjeni 20 milion euro, të zvogëloni shërbimet për avokaturë apo blerjen e luleve dhe ta ndërtoni rrugën Shkup-Bllacë”, tha Dimovski.


