Kryediplomati Nikolla Dimitrov u ka thënë homologëve të tij se Maqedonia është e rëndësishme për stabilitetin e rajonit. Dimitrov theksoi se Republika e Maqedonisë dhe vendet e rajonit i ndajnë sfidat e njëjta të përbashkëta me BE-në lidhur me radikalizimin, ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.
“Integrimi i rajonit tonë në BE është jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë e Evropës. Ekstremizmi i dhunshëm, radikalizmi dhe terrorizmi nuk njohin kufij. Prandaj, përgjigja jonë e përbashkët duhet të jetë e koordinuar tërësisht”, theksoi Dimitrov, i cili po merr pjesë në takimin joformal të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve kandidate për anëtarësim në BE, që po mbahet në Estoni.
Në margjinat e këtij takimi, Dimitrov është takuar me shumë diplomatë, përfshirë euro-komisarin Johanes Han.
Ministri Dimitrov merr pjesë në këtë takimin me ftesë të përfaqësueses së lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federika Mogerini dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Estonisë, Sven Mikser. /SHENJA/

