Seanca e sotme e Komisionit parlamentar për punë të jashtme ishte mjaftë e tensionuar dhe me ndërhyrje të shpeshta. Arsye për këtë gjendje ishte debati për raportin e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, për realizimin e politikës së jashtme dhe proceseve eurointegruese. Në fjalimin e tij, ministri Dimitrov dha një përshkrim të shkurtë për procesin e deritanishëm eurointegrues të Maqedonisë së Veriut.
“Duhet të gjejmë mënyra që politika e jashtme mos të vijë në nivel të përplasjeve brenda partiake. Humbëm gjenerata rreth BE-së dhe NATO-s, prej këtu me Marrëveshjen e Prespës tentojmë të vendosim mekanizma të lidhur me anëtarësimin tonë në NATO dhe hapjen e procesit për aderim. Kjo nënkupton se ndryshimi i dokumenteve për përdorim të brendshëm drejtpërdrejtë do të varet nga hapja e kapitujve”, tha Dimitrov.
Ai mes tjerash përkujtoi se në vitin 2001 kur është nënshkruar Marrëveshja për stabilizim dhe asociim me BE-në, ne si shtet kemi qenë në një grup me Kroacinë dhe mundësitë më të mira të shtetit për hapjen e negociatave kanë qenë viti 2012-të. Sipas tij, nga ajo kohë e deri tani në BE nuk ka vullnet të njëjtë për zgjerim, për shkak se të njëjtit kanë qenë të angazhuar me shumë çështje siç është kriza me imigrantët, Bregziti dhe sundimi i ligjit në shumë shtete.
“Tash jemi me Shqipërinë, e cila në vitin 2014 u bë kandidat për anëtarësim me dy rekomandime. Ne jemi me dhjetë rekomandime. Kjo krijojë sfidë shtesë. Vetë Makroni, krahas udhëzimeve se fillimisht duhet ta rregullojnë shtëpinë e tyre, thotë se vlerësim i tyre është se do të jetë gabim nëse ndaras i trajtojnë kandidaturat e Maqedonisë dhe Shqipërisë. Unë edhe mbrëmë thash se edhe pse kemi interes që të gjithë fqinjët tanë të ecin përpara, kjo është jokonsistente me fokusin e avancimit të metodologjisë për procesit e aderimit, për arsye se ai thotë se çdo shtet duhet të vlerësohet sipas meritave të veta”, tha Dimitrov.
Pas këtij fjalimi të Dimitrovit, deputeti i BDI-së, Artan Grubi kërkoi pauzë, të cilën kryetari i Komisionit për punë të jashtme, Antonio Milloshoski e vlerësoi si taktikë të menduar nga LSDM dhe BDI, që ministri mos t’i jep llogari opozitës dhe mos të jetë i përballuar me kritika. Ai po ashtu tha se për dështimin në Bruskel, përgjegjësi kanë zëvendës kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministri Dimitrov dhe kryeministri, Zoran Zaev. Fërkimet mes anëtarëve të këtij Komisioni vazhduan pasi që kryetari Milloshoski nuk dha pauzë, gjegjësisht me fjalimin e tij vazhdoi deputeti Ilija Dimovski, i cili për mosmarrjen e datës për hapjen e negociatave dhe për Marrëveshjen e Prespës, tha se investimi është bërë, ndërsa rezultati nuk është fituar.
“Ju në tavolinë i vendosët interesat kombëtare dhe nuk fituat asgjë. Përgjigja e juaj si Qeveri duhej të ishte pranimi i përgjegjësisë, dhe jo kërkesa për fajtorët. Thoni se Marrëveshja e Prespës na jep mundësi që mos ta zbatojmë emrin e ri në sferat ku nuk kemi hapur kapituj, për shembull në arsim – por atje vetëm se janë bërë ndryshimet, ju i ndërruat dëftesat”, i replikoi Dimovski, ministrit Dimitrov.
Ndërkohë, ai e akuzoi ministrin e Punëve të Jashtme, Dimitrov se Marrëveshja e Prespës është shkelur në dëm të vendit dhe se Qeveria ka zbatuar diçka të cilët nuk është dashur, duke vlerësuar se Marrëveshja e Prespës jo se nuk është zbatuar, por ajo tej zbatuar.



