Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov po qëndron në Beograd me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të punës së Fondit Evropian për Ballkan, por në korniza të vizitës nuk ka realizuar takim me kolegun e tij serb Ivica Dacic, transmeton Almakos.
Dimitrov në një intervistë për televizionin N1 ka deklaruar se nuk do t`ia ktheje përgjigjen Dacicit për deklaratën se Serbia nuk duhej që ta njihte Maqedoninë.
“Mendoj se deklarata të tilla nuk na ndihmojnë. Ne jemi ministra të dy vendeve, përfaqësojmë dy popuj fqinj. Kemi histori të përbashkët në Jugosllavi, shpresoj që të ardhmen e afërt do të jemi bashkë edhe në Bashkimin Evropian. Në një mënyrë asgjë nuk mund ta rrënoje afërsinë tonë. Megjithatë, është në dorën tonë nëse do të ngucemi ose do të sillemi si vëllezër”, deklaroi Dimitrov.
Duke u përgjigjur për Kosovën, Dimitrov tha se Maqedonia nuk mund të jetë lojtar i madh në kontestin midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Ne ndajmë kufij dhe në interesin tonë është që ai problem të zgjidhet në mënyrën më të mirë për të dy palët në kontest me ndërmjetësimin e Federika Mogerini në Bruksel. Ne kemi probleme tona të mjaftueshme dhe nuk do të dëshironim që të jemi dëm kolateral në këtë dinamik”, deklaroi Dimitrov./Almakos/