Zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë kërkon konsensus më të gjerë dhe propozimi doemos të kalojë në referendum. Kështu deklaroi shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov i cili hodhi poshtë mundësinë që çështja e emrit të mbyllet në Kuvend.
Në programet zgjedhore të partive të mëdha politike qëndron referendumi. Ky është premtim parazgjedhor. E dyta, çështja ka aso natyre që mendoj se nuk mund të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme nëse nuk pyeten qytetarët. Mendoj se qytetarët patjetër duhet të pyeten – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Dimitrov sot nuk tha cili do të ishte propozimi i pranueshëm për Maqedoninë. I pytur për deklaratën e ministrit grek të mbrojtjes Kamenos i cili tha se nuk do të pranojnë që fjala “Maqedoni” të jetë pjesë e emrit të fqiut verior, Dimitrov tha se deklaratat e tilla i takojnë shekullit të kaluar.
Drejtori i Qendrës për studime Evropiane në Austri Florijan Biber tha se vendet anëtarët të BE-së mund të ndihmojnë të krijohet atmosferë e re e mirëbesimit mes dy vendeve.
Ka shumë shtete që janë skeptike. Ata janë të shqetësuara dhe mendoj se është e rëndësishme për Qeveritë e rajonit t’i bindin ato. T’iu tregojnë se nuk duhet të shqetësohen. Por kjo bëhet vetëm me vepra. Sepse ato nuk mund të shohin pas retorikës dhe pas premtimeve, ato kanë nevojë të shohin vepra – tha Florijan Biber, Profesor në Universitetin e Gracit në Austri.
Duke shpalosur broshurën e titulluar “Të shfrytëzohet momenti i Maqedonisë” Biber tha se anëtarësimi i Maqedonisë varet nga transformimi i saj i brendshëm në demokraci evropiane si dhe mbyllja e çështjeve të hapura me fqinjët.
Anesa Salihu

