Perspektiva e Maqedonisë drejt fillimit të negociatave qasëse për anëtarësim në BE, përparimi në implementimin e reformave dhe avancimi i raporteve të mira fqinjësore, ishin tema në të cilat u vendos fokusi sa i përket Maqedonisë në mëngjesin e sotëm të punës të ministrave të jashtëm të vendeve anëtarë të BE-së në Bruksel. Nën organizim të minstrave të jashtëm të Bullgarisë dhe Suedisë, në këtë takim morën pjesë edhe shefi i diplomacisë në vend, Nikolla Dimitrov dhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, në formatin joformal – miq të Maqedonisë. Ata shprehën nevojën e mbështetjes nga ana e vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së për fillim sa më të shpejtë të negociatave qasëse për anëtarësim.
NIKOLLA DIMITROV, MINISTËR I JASHTËM
“Arritëm që të kthehemi në rrugën tonë evropiane, ndërsa BE arriti të rikthehë vëmendjen politike në Ballkan. BE ka përgjegjësi të konfirmoj ardhmërinë tonë evropiane, ndërsa ne jemi përgjegjës për ardhmërinë në atë rrugë. Ekzistimi i frazës magjike – vullneti politik, orientimi reformator dhe mbështetja nga miqtë tanë evropian janë kyçe për vulosjen e ardhmërisë tonë evropiane. Ne kemi shansë të dytë që të arrijmë, ndërsa miqtë tanë nga Brukseli kanë shansë të dytë të bindin skeptikët në arritjen e procesit qasës”.
Publikimi i strategjisë së presidentit të KE-së, Junker, për perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor në shkurt të vitit 2018, raporti i progresit i KE-së në prill të vitit të ardhshëm dhe samiti i BE-së – Ballkani Perëndimor në Sofje gjatë kohës së udhëheqjes me Këshillin e BE-së në maj të vitit të ardhshëm, do të jenë momente kyçe me rëndësi thelbësore për Maqedoninë në periudhën vijuese.
Ndërkohë, në kuadër të qëndrimit të tij në Bruksel, Dimitrov do të takohet edhe me homologun e tij grek, Nikos Kocias. Pritet që në takim të flitet për vazhdimin e bisedimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit e paralajmëruar për në fund të muajit si dhe për masat për rritjen e besimit mes të dy vendet. Ministri grek Kocijas, para disa ditëve ka deklaruar se Greqia dëshiron që të zgjidh çështjen e emrit dhe këtë e ka bërë të qartë tek partnerët e saj, BE dhe Uashington. Ai edhe më parë ka deklaruar se pret që çështja e emrit të mbyllet në pjesën e parë të vitit 2018. Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Dimitrov si dhe kryeministri Zoran Zaev kanë treguar se në Maqedoni ka vullnet politik për zgjidhjen e kontestit dhe se duhet bërë hap përpara dhe të shfrytëzohet klima pozitive në marrëdhëniet me Greqinë.

