24 Shtator 2018 / 12:05
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov theksoi edhe një herë se Marrëveshja për emrin parashikon emrin e ri të shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut, por nuk cenon aspak identitetin e popullit maqedonas. Ai theksoi se Marrëveshja i hap rrugë integrimit të vendit në NATO dhe BE, por se vendimi iu takon të gjithë qytetarëve. Kështu vendimin e Presidentit, Gjorge Ivanov për të mos votuar në referendumin e 30 shtatorit Dimitrov e cilëson si të turpshëm dhe ikje nga përgjegjësia.
Dimitrov ndër tjerash tha se në rast më 30 shtator shumica voton kundër, Qeveria do të dorëzohet dhe marrëveshja do të dështojë. Gjithsesi në rast se shumica voton pro, por nuk arrihet cenzusi, procedura do të kalojë në duar të institucioneve.
Në konferencën për media kryediplomati tha se pushteti planifikon që deri në fund të këtij viti të përfundojë edhe me ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se për të njëjtat do të vendos Kuvendi dhe se nuk janë të precizuara me marrëveshjen me Greqinë.
Alsat-M


