Zëvendësministrja plotësuese e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska sot në konferencë shtypi theksoi se ajo nuk po e bllokon huan nga Banka Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, por se ajo po kërkon informacion shtesë.
“Kredia nga Banka Botërore është kredi vetëm për qëllime të caktuara. Kjo do të thotë se duhet të ketë kalkulime të qarta për të gjithë zërat që do të financohen. Deri më tani, dokumentet të cilat mi kanë dhënë nuk përmbajnë kalkulime të qarta dhe të hollësishme. Unë i bëj thirrje qeverisë që t’i bëjë publike të gjitha dokumentet e dorëzuara deri tek unë, në mënyrë që qytetarët ta shohin vetë pse Gordana po kërkon informacion shtesë, ndërsa nuk bllokon siç preferojnë të thonë”, tha zëvendësministrja plotësuese.
Sipas saj, megjithëse Qeveria vazhdimisht ka diskutuar dhe negociuar me Bankën Botërore, në asnjë moment nuk është përfshirë në ato bisedime.
Ajo theksoi se dje ishte takimi i parë dhe i vetëm me Bankën Botërore ku kërkoi një shpjegim të hollësishëm, ku do të shpenzohen këto para.
Në konferencën për shtyp, ajo sqaroi për të gjitha dokumentet që ajo i ka nënshkruar deri më tani, duke i theksuar ato për huan prej 176 milionë euro nga FMN-ja mjete që tashmë kanë mbërritur dhe janë duke u përdorur, kërkesa për KE-në që miratoi 160 milionë euro, kredi prej 50 milionë euro nga BB, të cilat përdoren për ta ndihmuar ekonominë, si dhe dokumentet e Eurobondit, përkatësisht zgjedhjen e bankave që do të ndërmjetësojnë, si dhe zyrat e avokatisë.
Zëvendësministrja plotësuese deklaron se në të njëjtën ditë ajo i mori dokumentet për huan prej 90 milionë eurosh nga Banka Botërore, por që ajo kërkoi kohë për të biseduar dhe këshilluar me ekspertë.
Ajo i bëri thirrje Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, që të fillojë t’i monitorojë, komentojë dhe reagojë ndaj deklaratave të kolegëve të tij fqinjë, ndërsa t’ia lërë ekonominë njerëzve që janë përgjegjës për të.



