Problemi me listat e intervenimeve është i kahershëm dhe pikërisht listat transparente të pritjes dhe reduktimi i tyre është një nga sfidat tona më të mëdha, thotë Ministria e Shëndetësisë. Përgjigja nga Ministria mbërriti sot pasi dje Sdk.mk publikoi tekstin mbi mungesën e një sistemi transparent për orarin e operacioneve dhe reagimet e qytetarëve se termin në shëndetësinë publike ka vetëm privatisht, transmeton Portalb.mk.
Në spitalet e shëndetit publik priten vite për operacione, me muaj për ekzaminime kontrolli, por nëse pacienti paguan për t’u operuar privatisht në spitalet shtetërore, menjëherë gjen termin, thonë qytetarët. Por, sipas kirurgëve, një nga problemet në shëndetin publik të Maqedonisë është se asnjë spital nuk ka shërbim për marrëdhëniet dhe komunikimin me pacientët që do të planifikonte operacionet, kështu që pacientët komunikojnë drejtpërdrejt me mjekët, kirurgët dhe profesionistët e tjerë shëndetësorë.
“Kam katër vite që pres termin për operacionin e kataraktës, nuk ka termin. Kjo është e trishtueshme dhe për të ardhur keq në shekullin e 21-të”. “Motrës time në vitin 2023 iu caktua iu caktua termin për heqjen e tëmthit për vitin 2025. Kjo është sjumë e tepruar”. “Kemi dy vite e gjysmë që presim një operacion të kataraktës e pacienti ende nuk është operuar.” “Për një operacion banal 15-minutësh, nuk më thirrën kurrë në operacion”. “Kam pritur një vit për operacionin e tëmthit.” “Më 1 nëntor më caktuan termin për terapi fizikale për më 9 qershor të vitit 2025”.
Dy javë më parë Sdk.mk i dërgoi pyetje Ministrisë së Shëndetësisë se deri ku është procesi me digjitalizimin e listave kirurgjikale, nëse Ministria planifikon të marrë masa dhe zgjidhje konkrete për tejkalimin e këtij problemi të digjitalizimit dhe një sistem, shërbim për komunikim mes spitaleve dhe pacientëve dhe një përgjigje ka mbërritur sot, një ditë pas publikimit të tekstit.
“Angazhimi dhe synimi i këtij lidershipi të Ministrisë së Shëndetësisë është avancimi i digjitalizimit në disa nivele në sistemin shëndetësor, përfshirë transparencën e listave të pritjes. Problemi me listat për ndërhyrje kirurgjikale është i kahershëm dhe është lart në prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë në kuadër të procesit kompleks të promovimit të digjitalizimit në nivele të shumëfishta. Listat ekzaktësisht transparente të pritjes dhe reduktimi i tyre është një nga sfidat më të mëdha që neve si Ministri na është skicuar dhe po punojmë aktivisht për realizimin e këtij premtimi në programin e qeverisë”, thonë nga kabineti i ministrit Arben Taravari.
Ndryshe, Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë gjithashtu thekson se edhe pse mbrojtja shëndetësore primare sigurohet falas, financimi i saj është dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian rikujton se punonjësit shëndetësorë vazhdojnë të largohen nga shëndetësia publike drejt sektorit privat ose për të punuar jashtë vendit. Gjithashtu theksohet se pavarësisht ekzistencës së aplikacionit “e-shëndetësi”, udhëzimet ende jepen në letër.