Dinamo City-Partizani është derbi i vogël i kryeqytetit, i cili do të luhet sot prej orës 18:00 në “Elbasan Arena”. Trajneri i bluve, Luigi Di Biagio, doli në konferencë për shtyp dhe nënvizoi se nuk firmos kurrë për barazim. Pra, Dinamo e tij futet gjithnjë për fitore, pavarësisht kundërshtarit:
“Derbi është ndeshja më e lehtë për t’u përgatitur nga ana mentale, pasi futbollistët janë më të karikuar. Renditja e Dinamos me lojërat që kemi bërë të gënjen, por ky është futbolli.
Loja e mirë, por pa pikë? Kemi luajtur mirë me Tiranën dhe kemi humbur, kemi luajtur jo mirë ndaj Kukësit dhe kemi fituar. Pra, futbolli i tillë është, por tashmë duhet të luajmë mirë dhe të fitojmë.
I kënaqur me barazim? Në jetën time nuk firmos kurrë për barazim, edhe kur luaja me kombëtaren italiane ndaj kundërshtarëve shumë të fortë si Brazili, gjithnjë doja fitoren.
Me gjithë respektin për rivalin, që është edhe kampioni i Shqipërisë, Dinamo hyn në çdo ndeshje për të fituar. Kjo është ajo që u përcjellim edhe futbollistëve, të kërkojnë deri në fund të çdo ndeshjeje të marrin maksimumin”.



