Identifikohen personat të cilat përmes videos ekskluzive që siguroi Alsat, tërhiqnin zvarrë të gjakosur liderin e LR PDSH-së Zijadin Sela. Bëhet fjalë për Toni Trajkovskin nga Kumanova si dhe Kire Gjorgjievskin nga Shkupi i cili në videon e publikuar shihet duke u krenuar me aktin e tij. Gjorgjievski është një ish pjesëtar i forcave paramilitare në vitin 2001, i punësuar në ELEM ndërsa njihet si njëri i afërt i Gruevskit dhe drejtorit të Arkivit Shtetëror, Filip Petrovski. Ka dyshime se i njëjti është i varur nga droga. Mbrëmë pas identifikimit të tij, në rrjetin social Facebook i ka fshirë të gjitha të dhënat. Nga ministria e Brendshme nuk konfirmojnë se Trajkovski dhe Gjorgjievski janë kapur, ndërsa shtojnë se është duke u punuar edhe në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrahjen brutale. Ndërsa i dyshuari tjetër Aco Toshta është parë në qytet duke shëtitur i lirë.
Duke analizuar videon e publikuar në aspekt profesional, juristët konstatojnë se personat e shfaqur në këto pamje kishin për mision likuidimin e Selës. Profesori Bashkim Selami vlerëson se personat në fjalë duhet të gjykohen për veprën tentim për vrasje.
Nga kjo burojnë disa lloje të veprave penale. E para ka qenë me paramendim, e mirë organizuar dhe individ të caktuar kanë pasur të shënjestër personalitete me imunitet. Përgjegjësia penale në këtë rast mund të kualifikohet në bazë të provave materiale që i ka vërejtur edhe publiku – deklaroi juristi Bashkim Selamni.
Sipas Selmanit vepra e tyre vërtetohet edhe nga fakti se agresorët nuk ishin protestues por njerëz me mision apo në gjuhën kriminalistike të njohur si mercenar publik.
Në këtë rast nuk dyshohet që individ të caktuar nga jashtë kanë kryer veprime me qëllime të caktuara, jashtë institucionale por besoj se hetimi i mirëfilltë do të dëshmojë sepse në drejtësi ne themi nuk ka krim pa gjurmë – shtoi Selamni.
Ditë më parë Alsat publikoi videon ekskluzive në të cilën personat e lartpërmendur shihen duke tërhequr zvarrë Selën pas sulmit të dhunshëm. Në kuadër të kësaj Alsat solli edhe rrëfimin ekskluziv të njeriut i cili ka shpëtuar kreun e LR PDSH-së. Derisa hetimet po vazhdojnë dhe numri i personave të dyshuar vazhdon të rritet, ministria e Brendshme është në fillim e sipër të hetimeve nga ana e Kontrollit të brendshëm për të verifikuar përfshirjen e agjentëve të DSK-së në vepër, të cilët sipas burimeve të Alsat kanë tentuar edhe të fshin xhirimet e kamerave të sigurisë por që nuk kanë ia kanë arritur.
Adrian Kerimi

