Një 54-vjeçar nga Shkupi është akuzuar për dhunë në familje dhe lëndim trupor ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa ishte në gjendje të dehur. Ai e ka sulmuar fizikisht gruan me ombrellë dhe e ka mbystë në shtëpinë e tyre. Viktima arriti të largohej dhe të thërriste policinë. Prokurori kërkon vazhdimin e paraburgimit për të pandehurin, transmeton Portalb.mk.
Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup ngriti aktakuzë kundër një personi për veprën penale të lëndimit trupor gjatë kryerjes së dhunës në familje, përkatësisht në përputhje me nenin 130, paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
“I akuzuari 54-vjeçar, ndërsa ishte në gjendje të dehur, e lëndoi fizikisht gruan e tij. Në shtëpinë familjare në rrugën Butelska, më 20 qershor, ai fillimisht hyri në dhomën e gjumit ku ndodhej e dëmtuara, iu afrua asaj duke mbajtur një ombrellë në dorë dhe filloi ta fyente në mënyrë agresive. Pasi viktima u tërhoq në dhomën e ndenjes, ai filloi ta tërhiqte zvarrë, e goditi në kokë me ombrellën dhe ajo ra në dysheme. Në atë moment, i akuzuari filloi ta mbyste dhe vazhdoi ta godiste në të gjithë trupin me ombrellën, ndërsa ajo u përpoq t’i largohej, dhe u tërhoq e lënduar në dysheme deri në korridor. Ajo iu afrua derës së përparme të shtëpisë, e cila ishte e hapur, pas së cilës arriti të dilte dhe të telefononte policinë”, thonë nga Prokuroria.
Prokurori publik vlerësoi se në këtë rast bazat për masën fillestare të paraburgimit ende ekzistojnë dhe kërkoi që masa e paraburgimit për të pandehurin të zgjatet.