Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në sheshin “Hasan Prishtina” në Vushtrri, ku një fëmijë 10-vjeçar është sulmuar fizikisht nga një person i rritur.
Siç mëson Sinjali, në në Stacionin Policor të Vushtrrisë është paraqitur nëna e viktimëse cila ka deklaruar se, djali i saj kishte qenë së bashku me një shok të tij, duke shkuar për vizitë tek një mik, por gabimisht kishin trokitur në derën e një banese tjetër, duke shtypur zilen e një personi të panjohur.
Pas këtij veprimi të padëmshëm, i dyshuari kishte dalë jashtë dhe fillimisht kishte fotografuar fëmijët, e më pas, sipas ankueses, e kishte goditur djalin e saj me telefon në ballë dhe me shuplakë në fytyrë.
Fëmija ka marrë tretman mjekësor në emergjencën e qytetit për shkak të lëndimeve të lehta trupore që ka pësuar si pasojë e këtij sulmi.
I dyshuari është identifikuar dhe shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar nga njësia e hetimeve, por ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj fëmijës.
Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, rasti është inicuar si “Lëndim i lehtë trupor”, dhe ndaj të dyshuarit është marrë masa e ndalimit për 48 orë.
Policia është duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.