Katër persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti të ndodhur pasditen e kësaj të diele. Sipas policisë, ngjarja u regjistrua rreth orës 16:50 në rrugën Shijak-Hardhishte.
Në aksident janë përfshirë dy automjete, një “Audi” dhe një “Golf”, ku si pasojë është plagosur shoferja e “Golfit” dhe 3 pasagjerë që ndodheshin në makinë.
“Me datë 31.10.2021, rreth orës 16:50, në aksin rrugor Shijak-Hardhishte është përplasur mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin E. P., me mjetin tip “Golf” me drejtuese shtetasen O. Ç, si pasojë e përplasjes është dëmtuar drejtuesja e mjetit dhe 3 pasagjerë të tjerë që ndodheshin në mjetin tip “Glof”, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Kujtojmë që pasditen e sotme, në Qafe – Thane një 60-vjeçar humbi jetën dhe 4 persona të tjerë u plagosën, pasi një autobus u përplas me një furgon.



