Policia Financiare i ka ngritur edhe një tjetër kallëzim penal ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami i cili aktualisht ndodhet në arrati. Financiarja kësaj here e kallëzon Bajramin për marrëveshjen që ka lidhur me HEJ DOOEL ish objektin e restorantit Festina për të cilin ka pasur marrëveshje për shfrytëzim 10 vjeçar si hapësirë afariste nga ana e Lotarisë Shtetërore, shkruan Alsat.
Hetuesit e Policisë Financiare kanë konstatuar se marrëveshja e lidhur në korrik të vitit 2023 nuk përkon me kushtet e prokurimit publik. Me këtë Bajrami ka dëmtuar buxhetin e shtetit me 400 mijë euro.
“Në thirrje është kërkuar objekt administrativ nga 2.000 deri në 2.500 metra katror. Marrëveshja është lidhur për hapësira afariste prej 2.426 metrave katror. Për të manipuluar kushtin e vetëm në shpallje, në vitin 2024 ka bërë marrëveshje të re edhe për 502 metra katror të tjera, hapësira që ishin në procedurë shitjeje. Marrëveshja për blerjen e objektit është bërë 9 euro për metër katror edhe pse çmimi real në Vizbeg shkon nga 2.5 deri në 4.5 euro për metër katror”, thonë nga Policia Financiare.
Kushtet e tenderit i ka specifikuar vetë Bajrami sipas Policisë Financiare. Ai ka kërkuar që objekti për të cilin ka nevojë ekstreme Lotaria Shtetërore, të ketë të paktën 50 vende për parkimin e veturave dhe automjeteve transportuese, kusht që pa përkuar 100 për qind me hapësirat e ish restorantit i cili ka qenë objekt marrëveshjeje.
Marrëveshja në fjalë nga ana e Lotarisë Shtetërore është shkëputur më 17 shtator. Një veprim i tillë është bërë njëanshëm pasi Qeveria kishte konstatuar se është bërë shkelje gjatë procedurës së prokurimit publik. Kompania HEJ DOOEL lidhet drejtpërdrejt me djalin e deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski, Asmir Jahoski i cili është edhe pronar i Pucko Petrolit.
Pronar i parë i kësaj kompanie ishte Armin Mashoviq, ish partneri në biznes i Erxhan Sulkoskit. Mashoviq në tetor të vitit 2023 u emërua për anëtarë në Bordin Drejtues të Lotarisë Shtetërore, duke ardhur në vend të Shaban Hamza në emrin e të cilit figuronte domeni i ueb faqes hej.mk. Ky i fundit ishte partner në biznes me dhëndrin e Ali Ahmetit, Kushtrim Smajlaj.
Drejtuesja e parë e HEJ DOOEL rezulton kushërira e Artan Grubit, Natyra Grubi. Vlera e përgjithshme e marrëveshjes 10 vjeçare arrin në 2.6 milion euro. Objekti dyshohet të ishte marrë me qira me qëllimin që ai të shfrytëzohet për vendosjen e VLT aparateve të pashfrytëzuara./ Alsat.mk