Gjykata Penale në Shkup ka pranuar akt-akuzat e Prokurorisë Speciale Publike për rastet “Tarifa” dhe “Trajektorja”. Këshilli për vlerësimin e aktakuzave ka dhënë dritë të gjelbërt që këto lëndë të shkojnë për gjykim.
Tani, lëndët duhet të ndahen tek gjykatësit dhe të caktohen datat për fillimin e seancës kryesore.
Në rastin “Trajektorja” e cila ka të bëj me keqpërdorimet lidhur me ndërtimin e autostradave Milladinovci- Shtip, dhe Kërçovë- Ohër, të akuzuar janë ish zv/kryeministri për çështje ekonomike Vlladimir Peshevski dhe ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, të cilët, ngarkohen se kanë keqpërdorur detyrën e tyre dhe autorizimet. Më vendimet e tyre sipas PSP, është dëmtuar buxheti në mbi 150 milionë euro.
Lideri aktual i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në të njëjtën lëndë është i akuzuar për pranim të dhuratës për ndikim në mënyrë të kundërligjshme.
Në lëndën “Tarifa”, janë përfshirë shtatë persona për shkak të ekzistimit të dyshimit se është kryer keqpërdorim i pozitës zyrtare në procedurë për furnizim publik të softuerit – ERP Sistem për nevojat e ELEM-it.
Të dyshuarit me moskryerje të detyrës zyrtare kanë mundësuar që personi juridik – konsorciumi, i cili më vonë e ka marrë tenderin, të kualifikohet në fazën e dytë të bisedimeve gjatë furnizimit publik, edhe pse nuk ka dorëzuar dokumentacion të plotë. Vlera e marrëveshjes së lidhur për furnizim publik është 4.092.420 euro, ndërsa dëmi i shkaktuar arrin 456.560 euro.
Për rastin “Tarifa” ka vendosur Këshilli i udhëhequr nga gjykatësja Lidija Petrovska. Enis Murtezi /SHENJA/

