Tashmë duhet se partitë politike, si ajo në pushtet Lëvizja “Vetëvendosje”, por edhe partitë opozitare, tashmë kanë “filluar fushatën” në diasporë për të takuar e kërkuar votat nga mërgimtarët për zgjedhjet e shkurtit 2025, përcjell albinfo.ch.
Kohët e fundit, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është ai i cili kohës së fundit po qëndron nëpër vendet evropiane, për të folur me bashkatdhetarët për të siguruar përsëri vota nga ta.
Ngjashëm në diasporë po angazhohen edhe partitë opozitare si: LDK, PDK e koalicioni AAK-NISMA.
Në zgjedhjet e fundit qendrore të vitit 2021, mbi 55 mijë bashkatdhetarë kishin votuar, derisa shumicën e atyre votave i kishte fituar Lëvizja “Vetëvendosje”, apo mbi 44 mijë vota.
Elezi: 9440 kërkesa janë pranuar nga diaspora
Më 29 gusht 2024 është hapur aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovë për zgjedhjet e reja, i cili do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Mbi 9400 kërkesa nga mërgimtarët për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë regjistruar, derisa mbi 8 mijë janë aprovuar.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Deri më tani përmes platformës elektronike, janë pranuar rreth 9,440 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 8,716, ndërsa 716 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, deklaroi Elezi.