Deputetja e legjislacionit të kaluar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar kundër resë së madhe të tymit të zi që u lëshua sot nga termocentralet e Kosovës mbi qiell.
Pacolli thotë se ka ardhur koha që të kemi një Qeveri që bën revitalizimin e elektranave dhe modernizimin e tyre, instalimin e filtrave të teknologjisë së fundit të cilat minimizojnë ndotjen e ajrit deri në nivelet më të ulëta.
Po ashtu ajo thotë se duhet një qeveri që investon dhe zgjeron ngrohjen përmes kogjenerimit duke ulur nivelin e lartë të ndotjes që shkaktohet nga ngrohtoret lokale dhe individuale. Gjithashtu ajo thotë se duhet që qeveria të kyç Kosovën në gazin natyral si dhe të fillojë me hartimin dhe zhvillimin e burimeve të ripërtrishme të energjisë.
Kosova është pjesë e Komunitetit Europian të Energjisë e cila u ka vënë si qëllim të gjitha shteteve anëtare që të ulin emetimin e karbonit në ajër dhe të përmirësojë cilësinë e ajrit. Synohet që deri në vitin 2020 të gjitha shtetet të kenë së paku 20% të burimeve të përgjithshme të energjisë prej burimeve të ripërtrishme. Kosova ende është larg arritjes së këtij qëllimi dhe është një ndër vendet me cilësinë më të dobët të ajrit në kontinent./Gazeta Express/



