Me propozim të një grupi deputetësh, mes tyre edhe deputeti i ALTERNATIVA-s Rexhep Memedi, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u votua Ligji për shujtë të subvencionuar për studentët.
Studentët e rregullt në universitetet shtetërore dhe private, qytetarë të Republikës së Maqedonisë Veriore, nga Ministria e arsimit dhe shkencës, do të marrin mbështetje financiare në vlerë prej 120 denarë në ditë për të blerë ushqim të përgatitur. Kështu mundësohet mbështetje financiare, por edhe një jetë më cilësore dhe më të shëndetshme për të rinjtë gjatë studimeve.
Studentët do të kenë të drejtë ta përdorin këtë mundësi nga e hëna deri të premten, nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 20, ndërsa nuk do të vlejë gjatë fundjavave dhe festave shtetërore.
Ky ligj, i përgatitur në bazë të një projekti të ngjashëm që disa vite funksionon në Slloveni, siguron mundësi që studentët me një kosto dukshëm më të ulët të jenë në gjendje të ushqehen më shëndetshëm, tek ofruesit e regjistruar të shërbimeve, të cilët do të nënshkruajnë kontratë me Ministrinë e arsimit dhe shkencës për subvencionim të ushqimit për studentët.




