Deputeti Mile Cekov njoftoi se po largohet nga ZNAM dhe se, prej tani e tutje, në Kuvend do të veprojë si deputet i pavarur. Ai nuk është më pjesë e shumicës qeverisëse.
Në adresimin e tij drejtuar opinionit publik, ai tha se në politikë kishte hyrë me qëllimin për t’i shërbyer atdheut dhe qytetarëve, por se ndryshimet e pritura nuk janë realizuar.
“Para dy vitesh u bëra deputet për t’u përpjekur t’i ndryshoj gjërat, për të kërkuar përgjegjësi për krimin dhe korrupsionin, për të luftuar për ndryshimin e sistemit, si dhe për të dëshmuar se në politikë ka vend për njerëz të ndershëm dhe punëtorë. Por, fatkeqësisht, ato ndryshime nuk po ndodhin.
Ky vendim buron nga gjendja në shtet, e lidhur me korrupsionin, drejtësinë selektive dhe mosfunksionimin e institucioneve, si dhe nga sfidat socio-ekonomike me të cilat përballen qytetarët”, tha ish-deputeti i ZNAM-it.
Ai theksoi se nuk pranon të jetojmë në një shtet me korrupsion dhe krim, me drejtësi selektive dhe institucione jofunksionale; ku të rinjtë largohen për shkak të sistemit, ndërsa punëtorët jetojnë me pagën më të ulët në rajon.
“Nuk pranoj ajër të ndotur dhe mjedis të ndotur. Gjuha, identiteti dhe kultura janë themeli i ekzistencës sonë dhe ato nuk janë për negociata”, tha Cekov.
Për këtë arsye, ai tha se nuk mund të jetë pjesë e një pushteti dhe partie që nuk i ndan vlerat në të cilat ai beson.
“Po largohem nga një subjekt politik që formalisht është demokratik, por që në thelb nuk i përmbushi pritjet e qytetarëve. Po largohem nga një politikë që nuk qëndroi pas premtimeve. U shtrij dorën të gjithë atyre që besojnë në të njëjtat vlera dhe janë të gatshëm të punojnë për të mirën e atdheut dhe popullit. Ky është një fillim i ri. Fillim i luftës për drejtësi dhe përgjegjësi”, tha Cekov.


