Në Kuvend është propozuar një ligj i ri që synon të shpallë zonën përreth ndërtesës së Kuvendit si zonë sigurie. Ky projektligj, i cili po shqyrtohet me procedurë të shkurtuar, është nënshkruar personalisht nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe kolegu i tij nga grupi parlamentar “VLEN”, Bekim Qoku. Mbështetje i kanë dhënë edhe përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare të tjera, duke përfshirë Blerim Bexhetin, Borislav Krmovin, Vesna Bendevskën, Nikola Micevskin dhe Oliver Spasovskin.
Ky propozim ligjor vjen si përgjigje ndaj planit për ndërtimin e një garazhi shumëkatësh në oborrin e Kuvendit. Investitori privat që bleu tokën shtetërore në ankand në vitin 2014, kishte marrë leje për të ngritur këtë objekt, gjë që ka shkaktuar shqetësime lidhur me sigurinë dhe funksionalitetin e ambientit përreth ndërtesës së Kuvendit.
Projektligji parashikon anulimin e të gjitha lejeve të ndërtimit që janë miratuar para hyrjes së tij në fuqi, si dhe ndërprerjen e kontratave ekzistuese të tokës në zonën që do të shpallet si zonë sigurie.