Qeveria do të angazhojë një kompani private e cila që do të fillojë me kompresimin ose përpunimin e mbeturinave nga deponia e Strugës, theksoi për Alsat M zëdhënësi i qeverisë Mile Bosnjakovski. Kjo vjen pasi që struganët i dhanë afat prej dhjetë ditëve qeverisë dhe komunës për ta realizuar atë që e kishin premtuar para një muaji, gjegjësisht blerjen e dy kontejnerëve për shtypje dhe kamionë me të cilët mbeturinat e Strugës do të barteshin në deponinlë e Shkupit, Drisla.
“Sipas vendimit të Qeverisë, për momentin është në vijim procesi sipas procedurës për furnizime publike, për angazhimin e një kompanie e cila do ta zgjidh problemin e deponisë në Strugë. Do të bëhet shtypja e të gjitha mbeturinave, respektivisht përpunimi i tyre dhe më pas të gjitha mbeturinat ekzistuese do të barten në lokacione tjera, gjegjësisht do të zhvendosen. Furnizimi publik për përzgjedhje është në vijim- deklaroi Mile Boshnjakovski- Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë.
Jozyrtarisht, është e mundur që në javën e ardhshme të fillojnë punimet në terren. Nga komuna e Debarcës thonë se përfundon afati prej 15 ditëve, të cilin ia kanë dhënë ministrit të Mjedisit, Sadullah Durakut, që ta tërheqë vendimin e tij për të ndërtuar një deponi rajonale në komunën e tyre.
“Duke marrë parasysh nga 4 gushti, rreth 19 ose 20 gushti duhet të kemi përgjigje. Nëse nuk kemi përgjigje, pastaj përsëri do të fillojmë një nismë deri tek Këshilli për të nënshkruar një referendum. Me një akt të tillë ligjor, përgjithmonë do të refuzohej një iniciativë e tillë. Nuk është e lejueshme që një komunë e vogël e cila nuk krijon mbeturina të mbledh mbeturinat nga gjithkund- deklaroi Igor Trajkoski, kryetar i Debarcës.
Nga rajoni jugperëndimor i planifikimit thonë se është paraparë që deponia rajonale të ndërtohet në bazë të standardeve ndërkombëtare, ndërsa lokacioni është zgjedhur në bazë të analizave gjeologjike të truallit. Është marrë në konsideratë edhe distanca nga të gjitha vendet e rajonit.
“Parashikohet një sistem me një deponi rajonale dhe pesë stacione të transferimit brenda rajonit dhe ato janë në përputhje me standardet evropiane. Përveç riciklimit është paraparë edhe stacion për trajtimin e rrjedhave. Atje të dërgohen minimum mbeturina të papërpunuara sepse është paraparë riciklim, prodhim i energjisë elektrike dhe ajo që nuk mundet aspak të përpunohet të dërgohet në deponi- tha Mirjana Lozanoska, drejtore e Rajonit Jugperëndimor për Planifikim.
Çdo vit, i gjithë rajoni gjeneron 51 mijë ton mbeturina, ndërsa deri në vitin 2046 ajo sasi do të jetë rreth 61 mijë ton mbeturina.
Miki Trajkovski

