28 June
Kjo është pamja e deponisë në hyrje të Tetovës, vetëm dy ditë pas festës së Fitër Bajramit. Mbeturinat vazhdojnë që të dalin edhe në rrugë, ndërkohë që nuk barten nga Ndërmarrja publike komunale Tetova.
Për dallim nga herrat tjera, kësaj radhe, deponia e egër në hyrje të qytetit ka filluar që të del edhe deri në rrugën e asfaltuar. Përndryshe, tani në këtë deponi mund të hasim edhe koka kafshësh lëkura dhe eshtra të ndryshme të cilat në temperaturë mbi 35 gradë Celsius bëjnë që të kundërmojë erë e padurueshme.
Situatë e njëjtë paraqitet edhe tek ura në hyrje të Tetovës, e cila për dallim nga para një javë kur ishte deri në gjysmë e mbushur, tanimë e njëjta është bllokuar tërësisht nga të dyja anët.
Edhpse një kohë të gjatë premtojnë zgjidhjen e problemit me deponitë, nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova thonë se brenda pesë ditësh do të vënë në funksion stacionin e ri për ngarkimin dhe shkarkimin e mbeturinave. Nga Eco Guerilla, kërkojnë që ministri i ekologjisë t`ia merr të drejtën e menaxhimit me mbeturina komunës së Tetovës, sepse e njëjta tashmë ka dështuar.
Kjo që po ndodh në Tetovë nuk është vetëm e turpshme por është gjenocid ekologjik, sepse kjo po ndodh edhe pas premtimeve të njëpasnjëshme të autoriteteve që kjo do zgjidhej….Presim që së shpejti nga Qeveria e re të lirohet gjyqësori dhe të bëjmë padi, dhe do kërkojmë përgjegjësi edhe personale por edhe institucionale nga ata që kanë lejuar këtë gjë. Ideja është që ti sjellim fizikisht mbeturinat para institucioneve, sepse kjo është përgjegjësi e e tyre dhe të njëjtëve nuk iu intereson– tha Arianit Xhaferi, Eco Guerilla.
Pos “Eco Guerillas”, edhe disa OJQ tjera nga Tetova paralajmëruan protesta para Komunës për shkak të deponive në hyrje të qytetit.
Bashkim Sulejmani

