Në fshatin Sevaster, në Vlorë, ka pasur tensione pas një denoncimi në emisionin Tak Fak në News24 nga Dervish Kokaj, i cili kthehet nga emigracioni dhe zbulon se varret e gjyshërve të tij ishin mbjellë me ullinj.
Sipas tij, varret janë mbjellë nga Tozo Tozaj, një banor i fshatit, dhe pas këtij zbulimi, ai ka bërë ankesë tek deputeti Vullnet Sinaj, kryetari i bashkisë dhe policia, por pa asnjë reagim zyrtar.
Në një bisedë telefonike me administratorin e Komunës Sevaster, ai e pyet për situatën e varreve dhe merr një përgjigje shqetësuese. Në fillim, administratori pranon ekzistencën e varreve, por më pas sugjeron që të përdoret skrepi dhe të mbillen varret e gjetura me ullinj. Ai gjithashtu shton se të gjitha tokat në Sevaster janë zaptuar dhe mbjellë me ullinj.
Rovena, gazetarja e TikTak, shkoi në banesën e Tozo Tozaj për të parë më nga afër situatën, ku atje Tozaj ka dalë me sëpatë dhe ka kërcënuar grupin e xhirimit, duke fyer dhe kërcënuar për të vrarë Dervish Kokajn. Kjo ka shkaktuar një situatë të tensionuar në fshat, ndërkohë që policia ka ndërhyrë dhe ka bërë një kontroll në banesën e Tozo Tozaj.
Përveç kësaj, grupi i xhirimit ka bërë një kallëzim në polici për kërcënimet dhe shkelje të ligjit. Sidoqoftë, situata mbetet e tensionuar dhe ende nuk ka pasur asnjë masë konkrete nga autoritetet lokale ose policia për të sqaruar këtë ngjarje.