Alsat 2019-10-27T15:38:48+01:00
Sipërfaqet e rregulluara gjelbëruese në kryeqytet janë vënë në shënjestër të qytetarëve të pandërgjegjshëm. Kohët e fundit, veprimet vandale të personave të caktuar kanë shkatërruar thuajse të gjitha pajisjet urbane dhe komunale të vendosura në parqe dhe rrugë të ndryshme. Nga Ndërmarrja Publike “Parqet dhe gjelbërimet” thonë se demolimi I sipërfaqeve gjelbëruese shkakton shpenzime dhe kohë të dyfishtë për riparimin e tyre. Madje, drejtori Ardijan Muça supozon se demolimet e tilla zakonisht bëhen gjatë mbrëmjeve të vikendit kur kafenetë dhe disko klubet janë më të frekuentuara.
Nuk mendoj që një njeri mund ta bëjë këtë punë qëllimisht. Prishja e hapësirave, pajisjeve urbane dhe parqeve nuk mund të jetë me qëllim sepse ato ndërtohen për të mirën e gjithë qytetarëve. Supozoj që kjo bëhet gjatë vikendeve kur më shumë frekuentohen diskotekat dhe kafenetë e ndryshme, mendoj që e teprojnë pak me pije. Nuk është me qëllim të organizuar, ky është moment afekti, janë grupe të fëmijëve dhe të rinjve që dalin dhe I shkatërrojnë këto pajisje- tha Ardijan Muça, drejtor I N.P “Parqet dhe Gjelbrimet”.
Sipas Muçës, janë të shumta rastet edhe të vjedhjeve të luleve të cilat shkulen nga parqet dhe mbillen në oborret e shtëpive private. Për këto gjeste të pahijshme të personave të caktuar, qytetarët shprehën se duhet të ndërmerren masa ndaj tyre..
“Ne nisemi prej asaj se çfarë po ndodhë, nuk nisemi prej asaj se kujdesi nuk fillon prej këtu por prej zhvillimit të ndërgjegjes prej në fillim. Dikush që është I mësuar të kujdeset, dikush edhe nëse i thot të bëjë gjëra jo të mira ai nuk do ti bëj”.
“Çfarë t’ju them, kjo është vandalizëm, shkatërrohen pa ndonjë arsye, I kuptoj sikur të kishte ndonjë arsye. Para pak kohësh në park kishin vendosur tabela me informacione për llojet e druve, ishte shumë bukur, por i shkatërruan edhe ato.”.
“Ne nuk kemi kulturë. Nëse ka kulturë njeriu pastaj i ka të gjitha tjerat. Lulet shumë herë i kanë mbjell këtu mirëpo shumë po i dëmtojnë. Pastaj, ulëset po i thejnë, ndërsa ne jemi të moshuar dhe kemi nevojë të ulemi të pushojmë, shumë punë e mirë por po I shkatërrojnë”.
“Çka do që ndërtohet është e mirë, por kot. Larg jemi ne prej kulturës. Edhe më të rriturit bëjnë dëme”.
Pavarësisht demolimeve të vazhdueshme, ndërmarrja e parqeve dhe gjelbërimeve po vazhdon riparimin e të njëjtave dhe krijimin e parqeve të reja. Vetëm gjatë vitit të kaluar janë ngritur hapësira gjelbëruese në sipërfaqe rreth 130 mijë metra katrorë. Ndërkohë, deri në përmbyllje të këtij viti, varësisht të kushteve atmosferik, janë paraparë rreth 100 mijë metra katrorë rregullim të sipërfaqe të reja gjelbëruese.
Melihate Rustemi
Loading…



