Mehmedali Fazli – Nushi nga nesër do ti vendos drynin dyqanit të tij në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, pasi që sërish i është demoluar mbrëmë nga persona të panjohur. Këtë vendim e ka marrë, sepse siç thotë nuk po mund të përballojë këto akte vandale ndaj dyqanit të tij, ku punon si berber më shumë se 30 vjet.
“Në mëngjes mu lajmëruan fqinjët, hajde se ti kanë thyer xhamat, erdha çka të shohësh nuk di nuk kamë koment, jam i detyruar prej nesër të mbylli dyqanin, 8 anëtar familjes presin prej mua”, u shpreh pronari i dyqanit Mehmedali Fazli-Nushi.
Ai thotë se është hera e dytë që po i demolohet dyqani gjatë këtij muaji, ndërsa 48 herë që nga hapja e tij 30 vite më parë.
Ministria e brendshme ka regjistruar rastin, por nuk janë dhënë hollësi. Edhe në rastin e parë kur natën e 4 marsit iu thyen xhamat e dyqanit të Nushit, MPB atij nuk i ka dhënë asnjë informatë se a janë kapur kryerësit.
Fqinjët e tij solidarizohen me berber Nushin, duke kërkuar që MPB të kap autorët e këtyre akteve vandale.
“Apeli im do të ishte deri te policia, ti hapin sytë ndaj popullit, policia është shumë e dobët të jemi të realtë dhe nuk po i zbardh ngjarjet. Edhe dyqanin tim kur e thyen kjo polici që merr gjurmë më tha shko në shutk do ta gjesh mallin tënd.”
“Nuk ndodh vetëm te ky, para një muaj edhe mua ma thyen derën. Edhe nëse zbulohet ato kush do ti paguaj, shpina jon, ne po e paguajmë politikën e dikujt tjetër”, u shprehen disa nga fshinjët.
Nushi ndërkaq ka 30 vjet që është berber, dhe thotë që asnjëherë nuk ka pasur zënka me njerëzit përreth. Ai shton se këtë zanat e ka trashëguar nga babai i tij, ndërsa dyqanin s’e lëshon shkaku i kujtimeve të tij me të atin.

