Ish-kapiteni legjendar i Juventusit, Alessandro Del Piero, ka marrë zyrtarisht licencën UEFA Pro për trajner, pas përfundimit me sukses të kursit në Coverciano. Me krenari, ai ndau në Instagram lajmin bashkë me një foto të certifikates së tij me titull: “Një për të gjithë (të gjithë për një)”.
“Nga sot mund të më thërrisni edhe mister,” shkroi Del Piero në postim, duke falënderuar Federatën Italiane të Futbollit (FIGC) dhe të gjithë pedagogët që e udhëhoqën gjatë këtij rrugëtimi formues. Ai shprehu mirënjohje të veçantë për bashkëshorten dhe fëmijët e tij, të cilët e surprizuan duke marrë pjesë në mbrojtjen e tezës së tij në Firence. “Kjo tezë përmbledh një pjesë të rëndësishme të përvojave të mia profesionale dhe njerëzore, dhe pasqyron vizionin tim për futbollin dhe rolin e trajnerit,” – shkroi ai me emocion.
Reagimet nuk munguan, sidomos nga tifozët e Juventusit, të cilët mbushën rrjetet sociale me urime dhe ëndrra për të ardhmen:
“Të presim në pankinë, kampion!”, “Kemi një ëndërr…”, ishin mesazhet më të përhapura, duke nënkuptuar dëshirën që Del Piero të rikthehet në shtëpinë bardhezi si trajner.
Pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, Juventusi pritet të ndryshojë trajnerin, edhe nëse Igor Tudor arrin të kualifikojë ekipin për në Champions League. Për Del Piero-n, një emër që ka shkruar historinë e klubit me fanellën me numrin 10 dhe kampion bote me Italinë në 2006, një rikthim në pankinë do ishte një hap emocionues, ndonëse ndoshta i parakohshëm. Një tjetër tifoz sugjeroi një formulë të ëndërruar: “Trajner Conte, zëvendës Del Piero”, duke përmendur edhe mundësinë reale që Antonio Conte të rikthehet në krye të Juventusit.
Megjithatë, një gjë është e sigurt: Del Piero tashmë është gati për të filluar një kapitull të ri në futboll, kësaj here si “mister”.