17 Shkurt 2019 / 16:01
Intervistë me ambasadorin e Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj
z.Dedaj Kosova po shënon 11 vjet që nga shpallja e pavarësisë. Ky vit sipas të gjitha paralajmërimeve pritet të jetë vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Cilat janë vijat e kuqe të Kosovës për një marrëveshje me Serbinë?
“Mendoj se ky vit do të duhej të përmbyllte dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dialogun për shumë çështje të hapura, por asnjëherë për statusin e Kosovës, sepse statusi i Kosovës është çështje e mbyllur, pavarësia e Kosovës është e pa alternativë. Serbia duhet ta kuptojë këtë realitet të ri, të gjejë forcë, guxim dhe mundësi për njohjen e Kosovës sepse përfundimi i këtij dialogu nënkupton edhe njohjet reciproke dmth. Kosova ta njeh Serbinë dhe Serbia ta njeh Kosovën dhe bashkërisht të ecim si vende të Ballkanit Perëndimor drejtë integrimeve euroatlantike” – u shpreh Gjergj Dedaj, Ambasador i Kosovës në Maqedoni
Taksa e vendosur ndaj produkteve serbe duket se lka ndarë spektrin politik kosovar në dy pjesë. Përderisa presidenti Thaçi kërkon pezullimin e të njëjtës, kryeministri Haradinaj këmbëngul se ajo nuk hiqet apo pezullohet pa njohjen e Kosovës nga Serbia? Cilën anë mbani në këtë situatë z.Dedaj, të kryeministrit apo presidentit?
“Taksa është një gjë e cila duhet të rishikohet dhe ndoshta edhe të pezullohet për një kohë të caktuar sepse kjo është kërkesë e miqve tanë amerikanë dhe vendeve të BE-së. Siç dihet Kosova është një projekt i përbashkët i shtetit të Kosovës, qytetarëve të Kosovës me SHBA-të, BE-në, NATO-n me vendet fqinje dhe nuk guxojmë të vëmë në mëdyshje raportet tona, partneritetin tonë me miqtë tanë të cilët në kohëra të vështira kanë dhënë kontribut edhe sot në shtetndërtimin e Kosovës japin kontribut historik dhe krucial dhe mendoj se duhet sinqerisht të merremi seriozisht ti rishikojmë gjërat dhe të reflektojmë ashtu siç është mesazhi nga Uashingtoni dhe Brukseli” -tha Gjergj Dedaj, Ambasador i Kosovës në Maqedoni
Presidenti dhe kryeministri nuk janë në të njëjtën vijë as për çështjen e kufijve
“Çfarë do të arrihet a do të ketë korrigjim apo jo, ajo varet prej Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar. Nëse dyja palët binë dakord për çështje dhe tema të caktuara atëherë pse jo të ecim proceset përpara, sepse është koha që Ballkani perëndimor të reflektojë, Serbia në këtë rast ti kuptojë realitetet e reja, të heqë dorë nga mentaliteti i ngurt ballkanik dhe ti kthehet realitetit të ri dhe kujtoj se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë qenësore për stabilitetin, sigurisë dhe të ardhmen euroatlantike të gjithë rajonit dhe për këtë arsye mendoj se nuk duhet me bërë spektakle, politikë me këto çështje që janë të ndjeshme. Presidenti Thaçi e ka hudh një ide e cila mund të diskutohet, mirëpo është Kuvendi i cili e jep fjalën përfundimtare dhe nuk e di pse gjithë kjo zjarrmi dhe politizim i ideve të ndryshme të cilat mund të çojnë kah shtendosja edhe krijimi i një atmosferë dhe klime të bashkëpunimit edhe me Serbinë fqinje” –
Si i vlerësoni raportet mes Maqedonisë dhe Kosovës?
“Raportet mes Maqedonisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe unë i inkurajoj këto raporte dhe bashkëpunim të gjithanshëm. Kosova dhe Maqedonia nuk duhet të lidhen vetëm me rrugë dhe të lavdërohen tash me autostrada, hekurudha, aeroporte, por Maqedonia dhe Kosova duhet të lidhen në të gjitha fushat e jetës, në arsim, kulturë, shkencë, në sport sepse jemi dy vende fqinje që pretendojmë të njëjtin qëllim, anëtarësimin në NATO, anëtarësimin në BE, fqinjësinë e mirë, heqjen e barrierave mes nesh dhe një jetë të mirë, zhvillim ekonomik të përbashkët që është në dobi të gjithë qytetarëve. Maqedonia dhe Kosova janë shtete multietnike, multikulturore, multireligjioze dhe duhet një respekt i brendshëm dhe një respekt i fqinjëve. Ne duhet të reflektojmë pozitivisht dhe me qenë të përgjegjshëm sepse ka kaluar koha e konflikteve, përplasjeve dhe ne duhet të krijojmë një shoqëri, një ambient të qetë të sigurte dhe paqësor” – theksoi Gjergj Dedaj, Ambasador i Kosovës në Maqedoni
z.Dedaj autoritetet në Kosovë por edhe ato në Maqedoni kishin paralajmëruar një hetim të mundshëm ndërkombëtar për luftimet në lagjen e trimave në Kumanovë. Çfarë konkretisht është ndërmarrë deri tani për këtë procedurë?
“Ne i mbështesim vendimet e organeve të drejtësisë, nëse Prishtina dhe Shkupi, Institucionet e Kosovës dhe Institucionet e Maqedonisë binë dakord për një hetim ndërkombëtar do të ishte mirë sepse do t’i pastronte shumë hipoteka, paragjykime edhe ndoshta do të jepte një përgjigje drejt fatit të tyre edhe një përgjigje drejt drejtësisë. Megjithatë drejtësia është drejtësi, ligji është ligj dhe askush nuk mund të jetë mbi ligjin, ne i mbështesim Institucionet ligjore dhe mendoj se ato duhet të jenë të drejta dhe një hetim ndërkombëtar vetëm se e kishte pastruar dhe sqaruar disa gjëra” -u shpreh Gjergj Dedaj, Ambasador i Kosovës në Maqedoni
Shkelzen Aqifi
Loading…