Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka ngritur padi kundër shtetit të Kalifornisë, pasi zgjedhësit miratuan javën e kaluar hartat e reja zgjedhore që i japin avantazh Partisë Demokrate. Hartat synojnë të neutralizojnë fitimet e republikanëve në Teksas, pas rishikimit të zonave të votimit në atë shtet.
Propozimi 50, i cili u miratua me shumicë votash, u jep demokratëve përparësi në pesë zona të reja të Kongresit. Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi akuzoi guvernatorin Gavin Newsom për një “grabitje të hapur pushteti” përmes hartave të dizajnuara sipas kritereve racore.
“Këta humbës e humbën betejën në kutinë e votimit dhe së shpejti do të humbasin edhe në gjykatë”, tha një zëdhënës i Newsom për BBC News.
Departamenti i Drejtësisë pretendon se guvernatori dhe Sekretarja e Shtetit, Shirley Weber, kanë shpallur zona zgjedhore të përcaktuara në bazë race, duke shkelur Klauzolën e Mbrojtjes së Barabartë të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane. Sipas tyre, ka “prova të konsiderueshme” se legjislatura e Kalifornisë ka përdorur përbërjen latino si faktor vendimtar për hartat e reja.
Padia kërkon të bllokojë zbatimin e hartave në zgjedhjet e vitit 2026 dhe më tej.
Këto ndryshime janë pjesë e një valë të gjerë ndryshimesh zgjedhore të nxitura nga presidenti Donald Trump, që synojnë të forcojnë kontrollin e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026. Në gusht, Newsom nisi fushatën për pezullimin e hartave të pavarura të Kalifornisë, duke thënë se po “përgjigjej me të njëjtën monedhë” ndaj lëvizjeve të republikanëve në Teksas.
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, mbrojti iniciativën dhe tha se të gjitha sfidat ligjore kundër Propozimit 50 deri tani kanë dështuar.
“Kalifornianët folën qartë”, u shpreh ai. “Ata janë të lodhur nga paligjshmëria dhe gënjeshtrat e Trump-it. Zëri i tyre duhet respektuar”.
Një padi tjetër u depozitua javën e kaluar nga Partia Republikane e Kalifornisë dhe sipas Bonta-s, Departamenti i Drejtësisë po përpiqet të “ndërhyjë” në këtë proces gjyqësor.


