26 Janar
Cilido qoftë propozimi për emrin e ri të Maqedonisë, ai duhet që t’i përfaqësoj të gjitha grupet shoqërore në vend. Ky ishte vlerësimi i njohësve të çështjes mbrëmë në emisionin “Rruga drejtë”. Ata kërkonin përfshirje të të gjitha etnikumeve në bisedimet për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit me Greqinë. Për historianin Vebi Xhemaili, “Maqedonia e Re” do ishte zgjidhja më e mirë për riemërimin e shtetit duke pasur parasysh përbërjen multietnike të popullatës së Maqedonisë.
Emri më i kapshëm për ne të gjithë, duke marrë parasysh se ky shtet është formuar në vitin 1945 me të gjitha përformancat si Maqedonia e Re, si shtet i ri që nga viti 1945, dhe kemi menduar historikisht se ky term, pra Maqedonia e Re për palën maqedonase por edhe për palën shqiptare – tha profesor i historisë Vebi Xhemaili.
Takimi i kryeministrit Zaev me aktorët politik vendas i paraparë për të shtunën, është dashur të mbahet para takimit në Davos me kryeministrin grek Aleksis Cipras, me qëllim të përfaqësimit të denjë të të gjithë grupeve shoqërore në Maqedoni, tha profesori Llazar Llazarov.
Ne jemi shtet multi-etnik përfshirë shqiptarët, serbët, pra të gjithë duhet të jenë të përfshirë në zgjidhjen e çështjes së emrit. Unë kam vërejtur edhe një lëshim. Kryeministri aktual është mirë që ka vullnet që ta zgjidh këtë problem, gjithashtu edhe kryeministri grek, por ndoshta është dashur që takimi me përfaqësuesit e të gjithë grupeve shoqërore në Maqedoni të mos bëhet pas kthimit nga Davos po para se ta takojë kryeministrin Cipras – tha profesori Llazar Lazarov.
Ish Zv/ministri i Mbrojtjes Ilmi Selami vlerëson se nga vet fakti që bëhet fjalë për zgjidhjen e një problemi ku kërkohet kompromis, duhet të kemi parasysh se të gjitha palët do humbasin nga pak, mirëpo edhe do fitojnë me anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.
Nëse tani flasim për gjetjen e një zgjidhje, duhet të kemi parasysh se kemi një problem. Ky problem duhet të zgjidhet me një kompromis. Kompromisi vetë nënkupton se nuk i kënaq të gjitha palët por është një zgjidhje, pra një mes i artë, ku të gjithë ndoshta do humbin nga pak ose në gjuhën më optimiste, të gjithë fitojnë nga ky lëshim penj i palëve në negociata – deklaroi ish Zv/ministër i Mbrojtjes, Ilmi Selami .
Në opinion qarkullojnë shumë emra si “Maqedonia e epërme”, “Maqedonia Veriore” “Republika e Maqedonisë (Shkupi) e të tjerë, mirëpo të gjitha mbesin vetëm spekulime deri në prononcimin zyrtar të delegacionit qeverisës të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, që ende po qëndron në Davos të Zvicrës.
Besian Leka

