Transparenca e pushtetit ekzekutiv në Maqedoni është në nivelin më të ulët në rajon duke përmbushur vetëm 36% të indikatorëve, përskaj ligjit shumë cilësor për qasje deri te informatat e karakterit publik. Sipas ekspertëve stabiliteti i institucioneve varet nga demokracia e tyre, ndërsa demokracia nga transparenca. Andaj ata rekomandojnë që të fillojë zbatimi i ligjeve dhe politikave me të cilat do të rritet transparenca.
Mund të themi se është e patjetërsueshme rritja e nivelit të pavarësisë dhe kapacitetit të Komisionit për mbrojtjen e të drejtës për qasje deri tek informacionet e karakterit publik dhe rritje të kompetencave të saj në realizimin e Ligjit. Është e nevojshme të mundësohet qasje e lehtë e qytetarëve për ta kuptuar buxhetin, sepse kjo është një parakusht për pjesëmarrje të qytetarëve- deklaroi Tamara Resavska, Metamorphosis.
Për dallim nga Qeveria, institucioni ligjvënës plotëson 63% të indikatorëve të transparencës.
Ekzistojnë disa mënyra se si Kuvendi mund ta përmirësojë punën e tij. Ajo që është pozitive është se në raport me institucionet ekzekutive Kuvendi i Maqedonisë është shumë më i hapur. Por ajo që është negative është se mund më shumë të fokusohet në hapjen, transparencën e dokumenteve, mund më shumë të punohet në sjelljen etike të deputetëve, kontrolli i funksionimit të Qeverisë si dhe hapjen e Kuvendit- tha Emil Atanasovski, Fondacioni Westminster.
Tani më janë bërë edhe disa hapa konkrete, mundet në shikim të parë hapa të vogla, siç është shembulli me mundësinë e qytetarëve të jenë të pranishëm dhe ti përcjellin seancat parlamentare. Gjithashtu kemi në plan të vendosim një dimension të ri më cilësor të Kanalit të Kuvendit. Edhe në faqen tonë të internetit, e cila edhe sot, ashtu siç është, paraqet vegël të rëndësishme për informimin e qytetarëve- deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Projekti për matjen e transparencës së institucioneve në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor u realizua nga 7 organizata joqeveritare, me fonde të Bashkimit Evropian. Që nga viti 2008 kur filloi projekti u vlerësuan 662 institucione dhe mateshin mbi 25 000 indikatorë.
Paradoksalisht në gjysmë të prezentimit të rezultateve të projektit, sigurimi largoi gazetarët nga salla e Kuvendit, pa asnjë sqarim.
Anesa Aliti

