Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot në mesditë duhet të vazhdojë me mbledhjen për zgjedhjen e qeverisë së re dhe programin qeveritar të propozuar nga mandatari Zoran Zaev, ndërsa më së voni deri në mesnatë duhet edhe ta votojë atë ku mazhorancës së re i duhen me së paku 61 vota “pro”.
Debati filloi dje, ku mandatari Zoran Zaev arsyetoi propozim-programin qeveritar.
Dje, në ditën e parë deputetët e partive përbërëse të pushtetit zunë ulëset e rezervuara për pozitën, afër anëtarëve të ardhshëm të ekzekutivit të ri, ndërsa deputetët e opozitës, VMRO-DPMNE-së dhe BESËS, kundërshtuan përbërjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar duke i konsideruar persona të dëshmuar, pa kapacitet reformues, të përfshirë në afera korruptive dhe në hetime. BDI-ja kritikoi VMRO-DPMNE-në për shumë vendime të saj në dëm të qytetarëve kurse për VMRO-DPMNE-në ishin të paqarta kritikat e partnerit të deritanishëm me të cilin kanë ndarë pushtetin.
Zeqiria Ibrahimi i Lëvizjes Besa tha se nuk do të japin mbështetje për qeverinë e re duke i uruar Zaevit tha se ka përzgjedhje të shkëlqyer, por shfaqi edhe dëshpërim për një pjesë të kuadrit i cili, siç tha, nuk i plotëson të gjitha pritjet tona.
Sipas tij për ta kabineti i propozuar qeveritar nuk është reformë, por riciklim. “Isha i bindur se shkaku se pse e refuzuat bashkëpunimin me ne është kërkesa jonë për ridefinimin e shtetit. Por sot e kam të qartë se ky është parimi ynë i parë në qeveri të mos ketë persona të korruptuar dhe të inkriminuar”, tha Ibrahimi.
Afrim Gashi nga Lëvizja Besa tha se nuk mund të votojnë për konstituimin e qeverisë së re pasi që, siç theksoi, në të ka emra të cilat nuk paraqesin shpresë, por janë të pasuksesshëm dhe destruktivë.
“Dëshiroj që qeveria e re ta marrë besimin e qytetarëve. Ne si Besë do të jemi këto ta mbështesim çdo reformë e cila është në interes të qytetarëve. Veprimi i deritanishëm i Besës ishte korrekt lidhur me proceset politike pozitive dhe do të vazhdojmë kështu”, tha Gashi.
Stefan Bogoevski i LSDM-së potencoi se në Kuvend do të votohet për qeverinë reformuese, në të cilën ka njerëz të ndershëm, profesionistë, të përkushtuar ndaj qytetarëve dhe të cilët do t’i mbajnë të rinjtë këtu. “Njerëz, siç tha, të cilët së bashku me ne do të ndërtojnë konvikte studentore moderne, do ta heqin testimin ekstern dhe taksën e panevojshme radiodifuzive. Njerëz të cilët së bashku me ne deputetët dhe njerëzit do t’ju ndihmojnë të rinjve.
Për Antonio Milloshoskin nga VMRO-DPMNE programi ka projekte joreale dhe se Qeveria e re do të krakterizohet me zbatimin e drejtësisë selektive, bashkëjetesën e blerë ndëretnike dhe ekonomi me kredi.
Artan Grubi tha se grupi i deputetëve i BDI-së do ta mbështesë qeverinë reformuese.
Xhevat Ademi theksoi se qeveria e re në periudhën që vjen do të ketë partner, por edhe konkurrent në BDI.
Theksoi se do t’i mbështesin të gjitha reformat e paralajmëruara, por se do të jenë edhe kritikë të ashpër.
Sipas tij periudha që paraprin për Republikën e Maqedonisë do të jetë e vështirë, megjithatë edhe e suksesshme.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi dha pushim, pasi deputeti i VMRO- DPMNE-së Vllatko Gjorçev doli në foltore pa e marrë fjalën.
Xhaferi duke iu referuar Rregullores tha se nuk kanë të drejtë ta marrin fjalën për fjalim procedural dhe se duhet të prononcohen nëse do të veprojnë si grup deputetësh ose të pavarur.
Debati filloi sot, ndërsa Qeveria duhet të zgjidhet dy ditë pas fillimit të seancës gjegjësisht më së voni deri të mërkurën në mesnatë. Që të zgjidhet nevojiten të votojnë të paktën 61 deputetë.