Debat i parë mbikëqyrës në këtë përbërje të Kuvendit me temë “Ligji për menaxhim me trashëgiminë natyrore dhe kulturore botërore në rajonin e Ohrit dhe rregullativës simotër në kontest të Konventës së UNESKO-s për mbrojtje të trashëgimisë natyrore dhe kulturore” do të mbahet sot në organizim të Komisionit të Kulturës.
Debati mbikëqyrës është me iniciativë të shumicës parlamentare, por është mbështetur edhe nga deputetët e opozitës.
Në ditën e parë të seancës sot, sipas informacioneve të MIA-s, janë ftuar dhe praninë e tyre e kanë konfirmuar ministrat e Kulturës, të Mjedisit Jetësor dhe Transportit dhe Lidhjeve, Robert Alagjozovski, Sadulla Duraki dhe Goran Sugareski. Pastaj profesor doktor Donka Barxhieva, ekspert në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kryetarët e komunave të Ohrit dhe Strugës, Jovan Stojanovski dhe Ramiz Merko, ish-njeriu i parë i Strugës, Ziadin Sela dhe Aleksandra Bujarovska nga OJQ Front 21/42.
Seanca do të ketë tre ditë, por jo radhazi, ndërsa të ftuar janë gjithsej treqind dëshmitarë, persona aktual dhe të mëhershëm udhëheqës nga organe të ndryshme shtetërore, institucione, ndërmarrje publike, institucione shkencore dhe organizata qytetare nga lëmia e kulturës dhe mjedisit jetësor.
Statusi i Ohrit, si qytet në listën e Trashëgimisë botërore të UNESKO-s, është në rrezik dhe qyteti mund të vendoset në listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Deri në vitin 2019 Maqedonia duhet të bëjë më shumë aktivitete për mbrojtjen e Ohrit dhe Liqenit të Ohrit si pasuri botërore kulturore dhe natyrore.
Debati mbikëqyrës gjegjësisht ka për qëllim të mundësojë përgjigje nga personat përgjegjës, se deri ku është realizimi i aktiviteteve, sipas kompetencave të tyre, në lidhje me problemet e identifikuara në Raportin për misionin monitorues reaktiv të UNESKO-s dhe vendimit të Komitetit për trashëgimi botërore nga Krakovi 2017.
Dëshmitarët janë të detyruar që më së voni tre ditë para mbajtjes së seancës tregimin e tyre ta dorëzojnë deri te Komisioni për kulturë në formë të shkruar. Në debatin mbikëqyrës deputetët mund të dorëzojnë edhe çështje tjera nga ajo që është marrë në formë të shkruar nga dëshmitarët, ndërsa përgjigjet e tyre do të jenë të kufizuara në bazë të kohës. Në qoftë se dëshmitari për momentin nuk ka informacione të cilat janë të nevojshme që të japë përgjigje për pyetjen, Komisioni mund të kërkojë të dorëzohen në formë të shkruar.
Maqedonia duhet ta përfundojë realizimin e aktiviteteve për mbrojtje të trashëgimisë natyrore dhe kulturore deri në fund të vitit 2019 që ky rajon të mbetet në listën e Trashëgimisë botërore të UNESKO-s.
MIA

