Dy partitë më të mëdha politike maqedonase – LSDM-ja e Zoran Zaevit dhe VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickoskit bisedojnë fshehurazi pa prezencën e partive politike shqiptare për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Gazeta KOHA nga burime brenda grupeve të punës mëson se këto dy parti tanimë janë dakorduar për implementimin e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it në Kodin Zgjedhor, por ka mbetur çështje e pazgjidhur nivelizimi i Njësive zgjedhore. “Ne presim pëlqim nga grupet e punës pasi ai tekst duhet të vijë me konsensus me qëllim që ta nisim për procedurë parlamentare dhe ta miratojmë para shpërndarjes së Parlamenti”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Partitë maqedonase, siç merr vesh KOHA, po diskutojnë mundësinë e rritjes së pragut të njësive zgjedhore në minus-plus 10 për qind. Ish-nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Subhi Jakupi, thotë se nëse kjo implementohet në Kodin Zgjedhor bëhet vetëm që zgjedhjet të llogariten si të ligjshme. “Nuk është normale kjo. Ky prag zgjedhor u konvenon partive maqedonase, por jo edhe atyre shqiptare. Kjo nuk është normale. Rritja bëhet vetëm se zgjedhjet të llogariten të ligjshme”, thotë për KOHA, Jakupi. Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska për KOHA, deklaroi se kjo është çështje mes partive politike dhe se ato duhet të dakordohen për çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor.
LSDM: PA REGJISTRIM, NUK MUND TË KETË NIVELIZIM
Nga LSDM-ja e Zoran Zaevit procesin e nivelizimit të njësive zgjedhore e lidhin me procesin e Regjistrimit të Popullsisë, si dhe mohojnë zërat se me VMRO-DPMNE-në kanë biseduar edhe për rritjen e njësive zgjedhore në 10 për qind. “Derisa nuk ka Regjistrim të Popullsisë në vend, nuk ekziston edhe argument bazë për këtë çështje. Askush nuk mund të thotë se pas largimeve të shumta të qytetarëve nga vendi prej vitit 2002 e deri sot, sesa banorë ka çdo Njësi zgjedhore. Për këtë arsye edhe po të duam të zgjidhim këtë çështje nuk do mundemi tani. Për arsye se çdo zgjidhje do të jetë paushalle dhe politikisht e keqpërdorur. Rreth pragut të njësive zgjedhore nuk është e vërtet se kemi biseduar”, deklaroi për KOHA, zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, edhe pse vet KSHZ ka dorëzuar dokument zyrtar edhe në Parlament, por edhe në Ministrinë e Drejtësisë ku konfirmon se në disa Njësi, pragu i votuesve madje ka tejlauar 8 përqindëshin.
PËR SHQIPTARËT, E PAPRANUESHME RRITJA E PRAGUT
Nivelizimin e njësive zgjedhore e kërkon edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), por partia e Ahmetit këmbëngul që në bazë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së, ndryshime duhet të bëhen në pesë njësi zgjedhore. Sipas propozimit të tyre, që njësitë të jenë të balancuara, nevojitet që nga njësia zgjedhore numër 2 të hiqen 11.506 votues dhe të shtohen në njësinë numër 3. Në njësinë numër 4 të shtohen 7002 votues, ndërsa nga njësia numër 6 në njësinë numër 5 të kalojnë 19.420 votues. Ndërsa sa i përket rritjes në minus, plus 10 për qind, deputeti i BDI-së Artan Grubi thotë se është ide e papranueshme për partinë e tyre.
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha vlerëson se rritja e pragut në plus-minus 10% do të ishte një goditje e madhe për votuesit shqiptar. “Njëherë u bë padrejtësi kur kufiri i mesatares të njësive zgjedhore nga plus-minus 3 u rrit në dëm të njësive me shumicë shqiptare në plus-minus 5 dhe nëse tani edhe njëherë bëhet kompromis për rritje, kjo do ishte edhe një goditje për votuesin shqiptar dhe absolutisht do të jetë e papranueshme për Lëvizjen BESA”, deklaroi për KOHA, Hoxha. Edhe nga Aleanca për Shqiptarët (ASH) shprehen kundër rritjes së pragut të Njësive zgjedhore. “Do jetë e papranueshme për ne si subjekt politik një marrëveshje e tillë, nëse informacioni është i vërtetë. Ligji zgjedhor nuk është proces ekskluziv i disa partive politike, por është gjithëpërfshirës dhe i njëjti duhet të sillet me konsensus të plotë politik”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së.
Nga KSHZ-ja thonë se edhe deri më tani – zgjedhje me disbalancë në numrin e votuesve mes njësive zgjedhore, janë mbajtur. “Nuk e shoh për pengesë as tani pasi nëse merret për referencë rezultati i përgjithshëm, kjo nuk paraqet problem. Megjithatë, partive politike në shtet i mbetet për obligim që nëse nuk munden tani, në të ardhëm të merren vesh për këto çështje që të kemi procese zgjedhore më efikase”, thonë nga KSHZ-ja. Nga atje shtojnë se derisa bisedimet janë të fshehta, KSHZ nuk ka idenë se çfarë mund të ndodh me Kodin Zgjedhor. “Ne jemi ato që implementojmë Kodin Zgjedhor, për momentin parashihet prag minus-plus 5%. Katër njësi zgjedhore tejkalojnë këtë normë”, deklaroi për KOHA, Admir Shabani, zëdhënës i KSHZ-së.
Ndryshe, situata më kritike është në njësinë numër 6, e cila kalon pragun për 3.6 për qind (+8.6 për qind), njësia 3 mbetet nën prag prej 2.6 për qind (-7.6%), ndërsa njësia 4 për 1.3 për qind (6.3%). Në rast nivelizimi, vendvotimet e Komunës së Nagoriçanit të Vjetër dhe Gazi Babës kalojnë në njësinë 3, ndërsa njësisë katër i shtohen vendvotimet e Komunës së Demir Hisarit. Nga njësia 6 në në njësinë 5 kalojnë vendvotimet e Dibrës dhe Mavrovë-Rostushës.




