Alsat 2019-06-20T15:54:41+02:00
Gjermania dhe Franca arsyetojnë vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për dhënien eventuale të datës së negociatave për Maqedoninë e Veriut, në tetor. Ata kërkojnë që vendi të thellojë reformat që t’i ndjejnë qytetarët kurse Franca këmbëngul edhe në reformën e brendshme të BE-së. Këto mesazhe në Shkup i përcollën ambasadorët e të dyja vendeve në Këshillin nacional për eurointegrime.
Askush nuk guxon të lihet në procesin e eurointegrimit. Kjo nënkupton që tani duhet të zgjerohet dhe të thellohet procesi reformues me qëllim që secili qytetar i cili është pjesë e shoqërisë të shohë rezultate të dukshme. Kjo ka të bëjë me anëtarët e të gjithë kategorive të shoqërisë, religjionet, grupet etnike… Ata duhet të bashkëpunojnë që të mund të tejkalohet ndarja që ekziston në shoqëri”- theksoi Tomas Norbert Gerberik, ambasador i Gjermanisë.
Pyetja e vërtetë është e lidhur me karakterin efektiv të zbatimit të reformave. Aspak nuk duam ta nënçmojmë punën që është bërë në Kuvend ose punën përgatitore nga ana e qeverisë. Hapat që janë bërë asnjëherë nuk u kanë sjellë më afër një vendimi por kjo nuk nënkupton se puna ka përfunduar. Mbetet edhe shumë punë, jo vetëm nga këndvështrimi jonë por edhe për vetë ju. Ka punë të cilat e presin edhe BE-në dhe ky është shqetësimi kryesor i presidentit Makron sepse korniza e BE-së duhet të rishikohet”-pohoi Kristian Timonie, ambasador i Francës.
Zv.kryeministri Bujar Osmani është i bindur se fillimi zyrtar e negociatave me BE-në do të jetë në dhjetor.
“Për ne ka qenë e rëndësishme se kur do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian sepse kjo është pika në të cilën fillojnë bisedimet. Fakti që vendimi nuk merret tani por merret në tetor, më shumë i shkakton telashe Komisionit Evropian sepse ja kufizon kohën për përgatitjen e kornizës negociuese dhe për të përgatitur konferencën ndërqeveritare, se sa që na shkakton telashe neve përveç se nxit një debat për shkak të paparashikueshmërisë që e kemi”-tha Bujar Osmani, zv.kryeministër.
Anëtari i këshillit nga radhët e VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski kërkoi dorëheqjen e Osmanit si përgjegjësi morale duke pretenduar që edhe pas ndryshimit të emrit, shumë vende anëtare mbeten kundër Maqedonisë së Veriut.
Sot kemi më shumë vende anëtare të cilat nuk janë dakord që Maqedonia dhe Shqipëria, të cilat trajtohen në pako, të marrin datë për negociata me BE-në. Këtë fakt, kryeministri Zaev, zv.kryeministri Osmani, ministri i Jashtëm Dimitrov, e kanë ditur që në mars të këtij viti se Maqedonia nuk do ta marrë atë në qershor. Dhe e kanë ditur shumë mirë se cilat janë vendet anëtare që nuk pajtohen. Kanë mundur të paktën këtë ta ndajnë me qytetarët që të mos kishte dëshpërime të mëdha”-theksoi Antonio Milloshovski, VMRO-DPMNE.
Kreu i këshillit nacional për eurointegrime Nikolla Popovski porositi që vendit i duhen negociatat tani duke shtuar që kjo duhet të kishte ndodhur që në vitin 2005. Sipas tij, nëse nuk fillojnë negociatat së shpejti frustrimi i qytetarëve do të rritet kurse besimi ndaj BE-së do të ulet.
Fatlume Dervishi
Loading…



