Alsat 2019-06-19T15:33:27+02:00
Autoritetet shprehen të përmbajtur në vlerësimet ndaj vendimit dëshpërues të një dite më parë, kur ministrat e vendeve anëtare të BE-së erdhën në përfundim që vendimi për datën e negociatave të merret në tetor. Sipas kryeministrit Zoran Zaev, afati i potencuar si konkluzion është garancë e mirë që tetori do të jetë vendimtar. Ai shton se asnjë nga vendet anëtare nuk ka qenë kundër negociatave të Maqedonisë së Veriut por vendimi është kushtëzuar nga aspektet procedurale.
Ashtu përmendet edhe në përfundim se “do të bëhet në tetor”, d.m.th. do të bëhet në tetor. Aty shkruan “jo më vonë se ne tetor”. E kemi marrë garancën e shkruar ligjore. Ishte e rëndësishme të marrim një konkluzion të tillë i cili besoj se nesër ose pasneser do të konfirmohet edhe nga Këshilli i Evropës dhe kjo është garancë serioze për të gjithë ne. nuk ka mundësi të sillet një vendim i këtillë pa pëlqimin e të gjithë vendeve. Për Maqedoninë e Veriut të gjithë janë pozitivë- deklaroi Zoran Zaev.
Në rast se data nuk merret as në tetor, sipas ministrit të Jashtëm Nikolla Dimitrov, i vendoset pikë perspektivës evropiane të vendit.
Nuk mund të jemi të kënaqur pa ardhur vendimi në tetor. Mendoj se suksesi jonë do të jetë sinjal i rëndësishëm për të gjithë rajonin se dera evropiane është e hapur dhe vizioni evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor ekziston. Nëse kjo nuk ndodh kjo do të jetë fund i kësaj perspektive dhe mendoj se pesha në muajtë e ardhshëm, kuptohet ne do të vazhdojmë të punojmë në shtëpi, këtu është e ardhmja e PSP-së megjithatë pesha është te vendet anëtare- tha Nikolla Dimitrov.
Presidenti Stevo Pendarovski në një takim me përfaqësuesit e Odës Ekonomike nuk komentoi vendimin e djeshëm por kujtoi se procesi i anëtarësimit do të jetë i vështirë.
Pritet vendim i Bundestagut gjerman në dy seancat e tyre të shtatorit. Afatet dihen dhe agjenda dihet dhe pas kësaj do të presim vendim formal të BE-së. Ai do të jetë një proces shumë i gjatë. Çdo anëtare e re e BE-së negocion më gjatë se anëtarja paraprake dhe çdo kandidate e radhës kalon proces më të vështirë negociatash se paraardhëset. E drejtë ose jo, BE-ja i përforcon kriteret për anëtarësim- deklaroi Stevo Pendarovski.
Një ditë më parë, vendet anëtare të BE-së nëpërmjet ministrave të Jashtëm të tyre shprehën qëndrimet për fillimin e negociatave me vendet aspirante. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria edhe një herë morën premtimin që rasti i tyre do të marrë një epilog, e shumta, në tetor.
Fatlume Dervishi
Loading…



